Artikuj
POEZINË NUK E TREMB INDIFERENCA
"Ujdhesës së përrallës tënde" të poetes ARMELA HYSI
Çdo libër pas të parit përherë për një autor serioz duhet të jetë shenjë pjekurie. Është një cak ku poeti e ka pothuaj të pamundur të ndërrojë modelet e veta të shkrimit. Është pikërisht libri i tretë që Armela më besoi për t’i hapur siparin e të fshehtave që përbëjnë lëndën e poezisë së saj. Dhe unë sa herë mendoj për poezinë edhe kur atë nuk e shkruaj vetë, më vjen në mend një pikë krahasimtare-poezia e Armela Hysit. Për të kuptuar lumin që shpirti njerëzor gjen shkas për ta shpërthyer. Poezia si ligjësi e thellë e shprehive tona, të asaj marrëdhënieje që njeriu krijon me jetën dhe vdekjen. Me të shkuarën dhe përjetësinë. Poeti-ky bard i lashtë e mbart këtë dhunti/ shprehi/ për të mëshiruar turmat në vrap që s’dinë ku e kur do të ndalen. Një kaleidoskop i shpirtit njerëzor. Poezia e Armelës vjen prej këtyre burimeve të thellë sikur tërë njerëzimi të ketë qënë ky njeri i vetëm, shpinëpërkulur prej dilemave të kësaj bote, që vetëm sa prekin intelektin e tij. Në fakt kjo e tëra i ngjan një misioni. Jo ajo poezi që kapet pas frymëzimeve që vijnë prej ndërrimit të stinëve: lulet dhe bora si dy skaje ku kjo lloj poezie mbyll ciklin e vet prej lindjes për t’u bërë vdekje. Flasim për atë lloj poezie që përmes marshit të saj i jep një shpejtësi tjetër kohës, qoftë edhe duke e kthyer atë në të shkuarën e saj. Poezia e poetes sonë është përherë në një valë shqetësimi për t’u shndërruar në pasqyrë të njeriut, ku shfaqen e zhduken sipas rrethanave kalvari njerëzor i vuajtjes dhe shpresës, i çdo lloj pengese dhe së fundi çasti heroik i fluturimit në qiell. . Një poezi që sipas valës së saj zgjatore është për lindje e vdekje,është për ardhje dhe ikje. Ajo që bënë të ndjejmë si regëtin së thelli shpirti ynë i prekur prej këtyre tingujve. Një poezi e parë pothuaj e tëra në dritë që të lejon ta përjetosh në vetëvete si grumbullimin e krejt dritës në një pikë të muzgut, i cili dalëngadalë po ia mbyll asaj portat.
Poezia e Armela Hysit nuk është kurrëfarë lajmi por zgjim i pandërprerë i të fjeturve brenda nesh. Sepse ajo zbulohet ngadalë si një thesar që ka fjetur nëntokë me shhekuj. Si lajm ajo mund të na trondiste një çast, pastaj secili do gjente vendin e vet qoftë duke e nxjerrë atë edhe nga gërmadhat. Ja pse poezia nuk është kaq e pranishme në opinionin publik, sepse as nuk i shton as nuk i pakëson pasuritë materiale të botës sonë. Ballkonet përgjithësisht janë të mbushur me lule për të mbuluar zbrazëtinë e shtëpive tona. Poezia si një trokitje që tregon se në këtë hap të tanishëm të saj ajo është duke ecur bashkë me të shkuarën e saj. Poezia që prej një shpirti të hapur është duke ardhur si lajm që s’ka për të gëzuar askënd, ndërkohë që ajo do na tregojë përmes zëdhënëses së saj se sa e fortë dhe e pandashme është marrëdhënia e njeriut me shpirtin e vet. . Ajo që mbart ngarkesën maksimale të fjalës dhe shprehjes. Shpirti që për shkak të thellësisë dhe së fshehtës mund t’i ngjajë vetëm labirintit. Jam i sigurt se poezisë shqipe i ka ardhur një poete që për shkak të disa rrethanave e rastësive mizore nuk ka njohjen e merituar. Por atë nuk e temb indiferenca, sepse kohë e poezisë mund të rezultojë në të vërtet vet Koha. Sepse unë e përfytyroj këtë poezi si një zjarr ku nuk jeton dot asnjë lloj bimësie por thjesht shpirtra njerëzorë që në të digjen. Diçka që për më tepër i ngjan dritës diellore pa të cilën çdo lloj jete do të kishte vdekur.
STEFAN MARTIKO
Athinë, korrik 2013
29 SHKRIME NË NJË
-Shënime rreth librit të Thanas Boçit, ‘Duke kërkuar të veçantën’-
Shkruar nga Stefan Martiko
Po shkruaj dy fjalëpër mikun tim të vjetër Thanas Boçi me rastin fatlum të botimit të librit të tij, të cilin e kemi pritur prej kohësh dhe që kaq herë ia kishim dëshiruar dhe rekomanduar. Që në nisje mund të flas për një lloj keqkuptimi që mund të krijojë te lexuesi, sepse në këtë libër poezia ime është e vlerësuar prej tij në një shkallë të lartë. Duket sikur po ia shpërblej mikut tim nderin por unë kam një shkak më të thellë se sa kjo mirënjohje, që është e pashmangshme po aq sa dhe njerëzore.
Ky njeri që iu falë pasionit të vet vendosi të flas për një pjesë të letërsisë shqipe të mbetur në minoritet, e cila prej margjinës së saj nuk e ka atë fuqi reklamuese për të tërhequr sa duhet vëmendjen. Ajo është e heshtur dhe për më tepër duket sikur flet vetëm me veten. Ndër të paktët njerëz që e kanë dëgjuar zërin e saj është Thanas Boçi, i cili është duke bërë me këtë libër një përpjekje serioze për ta nxjerrë atë nga aninimati. Kam parasysh këtu, gjë që më nxit edhe më tepër, shembullin që jep Fatmir Terziu nga Londra. Krijuesi dhe studiuesi që po bën një punë të jashtëzakonshme për njohjen e letërsisë shqipe që shkruhet në mbarë diasporën shqiptare. Dy shembuj që urojmë të ndiqen nga të tjerë studiues.
Libri i Th. Boçit sjellë mjaft lëndë si bazë për t’u shqyrtuar edhe më thellë në të ardhmen, sepse vet librin mund ta përfytyrojmë si një godinë që i ka përherë dritaret hapur ku të gjithë krijuesit janë të mirëseardhur. Thanas Boçi me këtë libër shtjellon mesazhin e kësaj letërsie për ta nxjerrrë prej heshtjes dhe harresës, që për të mund të kishte qënë edhe fatale. Ja pse po i shkruaj këto radhë dhe çdo motiv tjetër nuk është veçse nxitës, shoqërues dhe i mirëpritur.
Në të 29 shkrimet e këtij libri unë gjej gjithashtu një shkak të thellë për t’u bërë pjesë e tyre, e asaj mirësie që përshkon pena e këtij njeriu të lindur të letrave për të folur aq sa mundet me gjuhën e mesazhit të çdo krijuesi të përfshirë në analizën që i bëhet në këtë libër. Dhe ka shumë emra autorësh të mbërritur në pikën e talentit të tyre, por edhe të tjerë të saponisur në këtë rrugë plot gurë e gropa penguese. Boçi operon me secilin në mënyrën e vet për ta vendosur diku, duke dhënë kështu një tabelë orientimi për ta ‘vizituar’ këtë ‘qytet’me sa më pak vështirësi, por edhe me misterin që të josh për tek e panjohura. Ndoshta do të duhet të kalojë edhe ca kohë që ky libër-guidë të tërheqë sa më shumë ‘vizitorë’ të letërsisë, të cilët përmes tij do të orientohen më mirë në përmbajtjen e kësaj letërsie. Në këtë aspekt punën e Thanas Boçit do ta quaja punën e një pionieri. Por ndoshta kjo kohë po vonon më tepër se ç’duhet edhe për arsye se letërsia si pronë e kulturës kombtare, ka qënë fare pak ose hiç fare në fokusin e organeve shtetërorë të specializuar. Libri në fjalë mund të jetë për burokratët e kulturës një lloj tërheqjeje vëmendjeje për të kthyer sytë edhe te kjo pjesë e kulturës sonë që krijohet në diasporë. Sa pak përkujdesje dhe sa shumë indiferentizëm. Por radha e letërsisë dhe e artit përherë ka qënë e fundit. Letërsia nuk ka asnjë lloj statusi brenda shtetit. Në Shqipëri nuk ka më asnjë organizatë letrare e artistike për t’i bashkuar interesat qoftë edhe sipas drejtimeve letrare e artistike të tyre. Pikërisht gjatë leximit të librit të Thanasit më vijnë të gjitha këto në mendje, sepse e shoh atë si një përpjekje për të sensibilizuar sadopak opinionin e të kthejë në vëmendjen e publikut më tepër letërsinë, e cila është e rrezikuar tmerrësisht prej pushtetit të parasë e shoqërisë së konsumit.
Tek libri i Boçit shoh lidhjen e thellë me letërsinë,së cilës kushdo i jep aq sa ç’mundet. Por kur ajo është e sinqertë dua t’i shoh mbartësit e saj si besimtarë përkundër individualizmit të theksuar të kohës, ku njeriu i mbyllur në guaskën e përditshmërisë së vet, i bashkohet thjesht turmës për t’u bërë i paidentifikueshëm. Njerëzit e letërsisë e arteve janë në një farë mënyre martirë dhe opinioni i frustuar prej përditshmërisë, një ditë ndoshta do t’i gjuaj ata me gurë si izraelitët Moisiun e tyre.
Më tepër se një përshëndetje këta shënime janë një mirënjohje për punën e palodhur të Thanas Boçit në fushën e letrave. Lodhja e një jete të tërë u kurorëzua më në fund me këtë libër që përmban në vetvet farëra kërkimesh, përsiatjesh dhe inkurajime për hapat e parë letrarë të mjaft krijuesve. Te secili krijues Thanasi zbulon pikërisht ato vlera që i bëjnë ata të krahasueshëm me prodhimin tjetër letrar në Shqipëri. Në mjaft shkrime kësaj ai ia ka arritur me sukses. Dhe kemi tani një pasqyrë jo thjesht inventar të vlerave nga më të mirat e kësaj krijimtarie. I parë nga ky këndvështrim libri merrë vlerën e një dokumenti për t’u shndërruar më vonë në pikë referimi për këdo që do të tregojë interes për t’i pasqyruar më tej këto vlera.
Thanas Boçi, studiuesi skrupuloz, mësuesi i vjetër i letërsisë bëhet kështu promotor dhe në shumë shkrime duket se ia ka dalë mbanë ta thotë me kompetencë fjalën e tij. Një varg shënimesh kritike kanë brenda edhe tharmin e një pune studimore e cila mund të thellohet më tej në të ardhmen. Dhe jo pak herë ai ballafaqon mendimin e tij me filozofinë dhe estetikën e kohës, duke kryer atë kapërcim që mbetet ende sëmundje për kritikën shqiptare.. Në fokus të analizës së tij vihen autorë të njohur si Romeo Çollaku, Pirro Loli, Nase Jani, Miho Gjini, Robert Goro, Novruz Abilekaj etj. Ndërkohë që iu është qasur pa i glorifikuar ata, arrin të na bëjë me dije se ç’mision i vështirë është letërsia. Autorë të tjerë si R. Bregu, A.Shira, E. Konica etj. janë krijues që autori i sheh si shembuj përkushtimi duke i inkurajuar të rinjtë ta kthejnë letërsinë në çështje pasioni. Por edhe më tej do të thoshim se në këtë libër lexuesi do të gjejë autorë të panjohur më parë si Alfons Dovana e Viktor Martini,të cilët zbulohen si prurje të ndërprera për shkak të represionit të sistemit që kaluam. Dovana për Boçin është një autor që mund t’i kishte kapërcyer këto vështirësi, se mbartëte me vete një talent të fuqishëm por që nuk u la të shpërthente.
Pas këtyre konstatimeve rreth e për librin doja të vija në dukje angazhimin e vazhdueshëm të Thanasit në kuadrin e Shoqatës së shkrimtarëve e artistëve Liter Art, për administrimin e promovimin e vlerave letrare e artistike. Jo rrallë herë pas daljes së një libri të ri dëgjon të thuhet: Po Thanasi a e ka lexuar? Kjo është një shenjë besimi por edhe mirënjohjeje. Çdo krijues do të përballet me gjykimin e tij sado i rreptë që të jetë. Dhe ja pse pohoj përsëri se Thanas Boçi është një zë i rëndësishëm i komunitetit të letrarëve shqiptarë këtu në Athinë. Ai përherë ka këmbëngulur për kthimin e shoqatës në një arenë debati e diskutimesh sa teorike aq edhe estetike. Shkruhet shumë por duhet të thuhet se ku spikatin këto vlera dhe a janë ato vërtet të krahasueshme? A po shkruhet vallë letërsi e vërtetë? Me këtë shqetësim të tij u është hapur rrrugë disa krijimtarive të cilat kanë ndihmuar jo pak për rritjen e rolit të shoqatës. Kujtoj me këtë rast angazhimin e tij të veçantë në zhvillimin e një veprimtarie mbresëlënëse për krijuesit Evriadh,Odise e Robert Goro. Krahas punës krijuese e hulumutuese ai mbetet kështu edhe një veprimtar me fizionomi të veçantë, punë e cila le gjurmë në mbajtjen gjallë të frymës së diskutimit e debatit.
12.9.09
DIALOG PËRMES POEZISË
-Shënime rreth poezisë së Grigor Jovanit-
Shkruar nga: Stefan Martiko
Grigor Jovani një profil poetik tanimë i dallueshëm dhe i pangjajshëm. Lexuesi duke shëtitur nëpër librin e tij më të fundit ‘Udhëtim brenda vetes’ përjeton një varg befasishë, sepse leximi i kësaj poezie bëhet gati i detyrueshëm deri në frymëmarrjen tjetër. Një poezi që të bëhet e dashur dhe të intrigon aq sa ti si lexues ke njohur një poet jo të lodhshëm por një bashkëbisedues të sinqertë dhe një mik të madh të njeriut.
Grigori vjen kështu me një profil dhe shtrat poetik të konsoliduar. Amplituda e tij poetike lëviz atje ku fle si potencë poezia. Nga prekja ajo zë e dridhet si një tërmet prej ku vibrimet shpirtërore shkaktojnë më në fund një lloj përmbysje të rendit dhe gjërave.
Një poezi e tillë ndodhet pikërisht në kufirin me traditës dhe modernitetit, prej ku poeti ka zgjedhur një kënd moderator për t’u ushqyer prej të dyjave njëherësh. As që shkëputet dot përfundimisht prej traditës më të mirë poetike, ndërkohë që është mjaft i vëmendshëm ndaj prurjeve më të reja të poezisë bashkëkohore. Prej burimeve të thella prej nga ato vijnë poetikat e Grigorit shpërndahen në stërkala të pafundme për të na treguar se shpirti i njeriut kurrë s’ka për të vdekur.
Përherë e gjallë dhe intriguese ajo të shpalos pamje dhe imazhe që ushqehen prej një realiteti që ndonëse nuk është shumë i evidencuar, bëhet përcaktues për të shfaqur misterin e botëve tona. Duke shëtitur në këtë lloj poezie, t; vjen një dëshirë për të ndalur në të, për të pushur me të, pastaj për të nisur një dialog ku poezia tani është vënë në rolin e vet të bashkëbisedimit me njeriun. Urat tashmë janë hedhur jo thjesht për miqësi por si një nevojë për të biseduar së pari me veten. Por sa pak njerëz që i afrohen poezisë. Me sa duket as ajo nuk ka mundet dot të zgjithë hallet e mëdhenj të kësaj bote dhe leximi i saj sa vjen e bëhet më elitar, ndërsa jehonat do të kthehen pas edhe shumë shekuj.. Një poet si Grigor Jovani ka pikërisht këtë nevojë për përkujdesje që poezia e tij të mos mbetet brenda kapakëve të këtyre librave. Ajo duhet të udhëtojë brenda vetes së çdonjerit. Më kujtohet që para ca vitesh këtu në Athinë në xhamin e pasmë të shoferit të çdo autobuzi urban ishin ekspozuar poezi të poetëve më të shquar grekë. Njërzit komunikonin lirshëm me Kavafin, Seferin,Elitin, Ricosin e të tjerë poetë të njohur pa shtrëngesë, në çaste vetmie e meditimesh të thella. Në Amerikë poetët shëtisin anë e mbanë vendit të recitojnë poezitë e tyre nëpër salla e sheshe. Por, si poetët të bëhen të dobishëm për të shëruar plagët e njeriut? Pse poetët e shquar amerikanë bëhen kancelarë, një titull i lartë nderi dhe emërohen me datyra të poezisë pranë Kongresit Amerikan? Tek ne poetët nuk kanë pothuaj asnjë rol edhe pse s’mund të thuash se nuk shkruhet poezi e mirë për shëndetin shpirtëror të njeriut.
Ngacmohem për të hedhur në këtë fushë diskutimin tim prej poezisë së Grigorit e cila është poezi e shumë nuancave, luftarake dhe paqësore, agresive dhe të qeta por në çdo çast e ngarkuar me mesazhe që e ngrejnë në art të folurën tonë të përditshme. Mbi trupin ka dalë në pah shpirti njerëzor i cili në realitet është nxjerrë jashtë ligjit, njësoj sikur ne të mos përbëheshim prej mishi por të ishim thjesht manekinë të vendosur në vitrinat e kohës. Ka një poezi që do ta quaja krejt jovaniane që flet për kthimin në shtëpinë e prindërve të cilët presin birin e vdekur të poetit. Një kthim funerabël dhe madhështor. Shpirti njerëzor këlthet prej humbjes së vet ndërsa trupi vrapon nëpër orgjira të ekzistencës. Pub klube e Mc Donal-et, afera të paimagjinueshme korruptive. Njeriu i pangopur me jetë ka humbur ndjesinë për të administruar jetën.
Po ç’përmban në vetvete kjo poezi dhe mos vallë ne thjesht po bëjmë një ritual atë për ta promovuar? Te ky thelb i diskutimit tim dua ta vendos poezinë e Grigorit, duke pohuar që në fillim se është një poezi me parametra artistikë të dallueshëm prej ku një studiues i letërsisë do të gjejë mjaft argumente po artistikë për t’ia përcjellë si vlera fondit të poezisë shqipe.
Në pjesën më të mirë të saj ajo kthehet në një shembull kërkimi për të mos përsëritur vetveten, kurthi ku zakonisht bien poetët që e kanë mbyllur shpejt ciklin e tyre të kërkimit. Një mënyrë e konsoliduar shprehjeje artistike nuk mund të kthehet në një model të ngrirë, përkundrazi. Poezia e Grigorit derivon sa në tematikë, në ide e mjetet e tjerë artistikë. Ajo tashmë ka një mision: të udhëtojë brenda shpirtit të njeriut. Dhe kjo është garancia më e madhe dhe e para që një poezi të jetë e dallueshme.
Poezia ka një mision pa e shpallur atë hapur. Pardje në internet pash se si po sensibilizohej poezia në Itali për t’u bërë pjesë e dhimbjes njerëzore pas tragjedisë së tërmetit të 6 prillit. Dhe me këtë rast botohej një poezi e poetit të njohur egjiptian Hafuz Ibrahim shkruar për tragjedinë e tërmetit të Mesinës në Itali të vitit 1908. Dhe këtë e kish shkruar jo një poet italian por arab. Katastrofat natyrore kthehen në ndërgjegje njerëzore.
Te poezia e Grigorit gjej shumë dhimbje të tilla, pragvdekje të shpeshta por që në fakt mund të kuptohen si solidaritet me jetën. Poezia e ka të pamundur të mos operojë me të tilla gjendje. Njeriu i poezisë së Grigorit gjendet përherë para një habie sepse po ndodh diçka që ai nuk e ka pritur. Poezia e kapur fort pas situatave të tilla përveçse sjellë kënaqësi në lexim, jeton më tepër se e sotmja. Pa këtë përplasje me jetën poezia pothuaj nuk ekziston. Tagri që ajo duhet të përballojë është bërë më i rëndë dhe për shkak edhe të konkurencës së gjinive të letërsisë dhe të artit ajo lufton për mbijetesë. Një rrugë shpëtimi është edhe kjo që përdor Grigori duke e futur atë në komunikim me përditshmërinë. Ja pse pëlqehet libri ‘Udhëtoj brenda vetes’. Mesazhe gati telegrafikë por me një dendësi që ashtu siç nxitojnë ngulen thellë në ndërgjegjen e lexuesit.
Ne sot jemi dëshmitarë të shumë shkollave poetike të vjetra e të reja të traditës dhe moderne. Por në fund të fundit pas gjithë kësaj mbete poezia, ajo lloj poezie që shtron para lexuesit dilemat e kohës. Poezia botërore sot është edhe një fushë e gjerë eksperimentesh aq sa s’mund të jesh kurrësesi indiferent ndaj saj. Çfardolloj zhvillimi e në çdo kahje synon një cak i cili do të lerë patjetër gjurmë edhe në poezinë bashkëkohore. Prandaj dhe Grigorin e shoh një poet të tillë me kërkim brenda vetes me synime të lartë artistikë në brendi dhe në formë duke demonstruar në çdo rast finesën dhe përkryrjen për t ia paraqitur lexuesit poezinë të pastër e të përshkuar tej për tej nga drita. Unë e shoh këtë si një arritje të kënaqshme e cila i hap shtigje të rinj krijuesit, në mënyrë që ai të ushtrojë artin poetik jo si zanat por si krijim të vazhdueshëm dhe në udhë drejt përsosjes e maturimit poetik.
Në shumë poezi të këtij libri por edhe të librave të mëparshëm këtë e shoh të realizuar si fakt artistik. Por një poet i mirë e ndjen] përherë se ka ende shumë rrugë përpara për të përshkuar nga se përsosja është virtyt i talenteve të shënuar.
Dhe ajo që më ngacmon më tepër është lumi ndjesor që sjelle me vete poeti. Ato kapërcime rebele e herë-herë të pakontrolluar që realizohen përmes kësaj poezie. Një natyrë paksa e çartur, ndoshta do të ishte kostumi më ideal për një poet që dhe në marrëzinë e vet, si lumi përmbyt brigjet e më pas tërhiqet me druajtje në shtratin e vet i menduar.
Ne që e ushtrojmë poezinë kurrë nuk e kemi menduar atë si zanat por as si mjet jetese. Ndësa një mënyrë të jetuari po. Nga ky këndvështrim Grigor Jovani është kokë e këmbë brenda saj dhe i kapur rob pa mundur më dot të çlirohet prej këtij dreqi të burgosur në mendje. Grigori është njeriu tipik-produkt i poezisë. Në rast se e shkulë prej poezisë në çast ai vdes. Kjo ngjizje e mrekullueshme shndërrohet në kushtin parësor të të një poezie që edhe kur nuk është e realizuar tërësisht, ky trëndafil është i denjë për kopshtin trëndafilor të mbrëmjes.
Dhe së fundi doja të thosha se pesha e rëndë e realitetit që përjetojmë në poezinë e Grigorit përthyhet për të na i bërë sadopak më të lehta vuajtjet,prej së cilave s’presim ngushëllim tjetër.Në mënyrë të atillë që jeta në poezi t’i ngjajë diçka edhe një lojedhe mesazhi që merret prej saj të përtypet në një formë sa më estetike.
JETË E NDËRPRERË
-
Në kujtim të poetit Vangjel Dalani –
-Shkruar nga Stefan Martiko-
Vangjel Dalani është një thirrje njerëzore që gjithkujt i ka mbetur në grykë dhe unë po e çliroj veten prej kësaj torture shpirtërore, duke bërë atë përpjekje të thjeshtë që bëjnë njerëzit të cilëve nuk u ka vdekur akoma kujtesa.
Poeti i ri premtonte shumë. Por nuk arriti që gjuha e tij ta godiste gjer në fund bronxin e kambanës së madhe që zgjon tërë botën.
Miku im i një moshe të trishtme e mbushur e tëra me ëndrra. Trëndafil i sapoçelur, veç e dëshmoi me shpirtin e tij se i përkiste racës së poetëve me shpirt të madh që edhe pse s’arriti të bëjë një vepër të madhe, ne kemi në zemër atë dashuri që progresi marramendës bënë çmos ta thajë për ta robotiziuar njeriun. Ky njeri që në të vërtet të duket se kishte ardhur para kohe, ra një natë dimri në shtratin e spitalit të Sarandës për t’ia dhënë jetën e tij një tjetri. Kish kënduar tërë natën këngën e fundit të mjellmës, në një natë të vështirë dimri nga Tirana në Sarandë mbi karrocerinë e hapur të një kamioni. Njeriut në kabinë fati i kishte sjellur një perëndi që i shpëtoi jetën, i cili kishte sakrifikuar kështu të vetën. Vangjeli ia la vendin në kabinë një njeriu në nevojë dhe vet u ngjit sipër ku do t’i bënte shoqëri era dhe të ftohtit.
Por Vangjel Dalani ishte kaq i ri, kaq i pashëm, kaq i urtë, kaq njerëzor sa dhimbja nuk gjenë dot fjalë për t’u shprehur. Poetit që s’arriti ta artikulonte jetën në një klithmë, pas 30 e ca vjetëve jepini atë që ia mohuam, që shpirti i tij të prehet në paqe.
Miku im i dashur Vangjel Dalani. E ruaj akoma librin tend të parë dhe të fundit që më dhurove me druajtje duke mos e ditur se do të ikje kaq shpejt, për të takuar një mikun tjetër tonin, edhe ai poet i talentuar, Petraq Dhimën që ishte aksidentuar për vdekje me motor në rrethinat e qytetit të Fierit.
Kur vdesin të rinj poetët toka ka përgatitur për ta një varrezë të heshtur.
….Një natë të tërë dimri, ndërsa era ulërinte Vangjel Dalani u godit brinjë më brinjë nga një pneumoni akute, ndërsa zogjtë e natës nën shi ia kishin nisur këngës. Por kontrata e poetit me jetën atë natë po prishej. Ne nuk e dime poezinë e fundit që ai shkroi asaj nate në prag të ndërrrimit të viteve, por një dëshmi tjetër e "përbindshme" na vjen prej një shembulli tjetër, atij të Teodor Kekos që vazhdonte të shkruante edhe në gjumin e tij të vdekjes. Ja që poetët nuk vdesin. Edhe pse poezitë e tyre mund të mos lexohen për shkak të komercializimit të kohës, ata si shembull vazhdojnë t’u bëjnë apel ndërgjegjeve tona. Ata mbeten kalorës të një qytetërimi që çdo njeri në vetvete e ka patur një ëndërr. Por ne jemi të vrarë të tërë prej rrethanave dhe pafajësia jonë është shpallur.
Vangjel Dalani nuk ka asnjë bust asgjëkundi, por ai bëri një vepër gati mbinjerëzore e të pakonceptueshme për meskinitetin njerëzor, duke sakrifikuar jetën e tij për një tjetër. Ai nuk bëri dot llogaritë se ku qëndronte forca e perit të dobët që era e çmendur e atij dimri të largët po e tërhiqte me shpejtësi drejt vdekjes.
Lavdi shpirtit të njeriut që do të na thërras përherë për të mos i shkuar gjer në zgrip çmendurive tona. Sikur ti të kishe rënë për të fjetur tani, unë i dashur mik të përkulem thjesht për të pëshpëritur në vesh pa guxuar të të zgjoj, urimin më të pafajshëm: Natën e mirë miku im i paharruar.
Athinë,22 shkurt 2008
EMIGRACIONI, KJO TEMË KAQ E PREKSHME
- Shënime rreth filmit grek Akademia Platon-
-Shkruar nga Stefan Martiko-
Filmi Akademia Platon u paraqit kohët e fundit në festivalin ndërkombëtar të filmit në Lukarno të Zvicrës duke fituar në të tre çmime të rëndësishëm, atë universal, Çmimin Luani i Artë për aktorin më të mirë që e fitoi Antoni Kafexopulo dhe Çmimin për regjisorin më të ri që iu dha Filipos Citos.
Filmi grek Akademia Platon që u shfaq kohët e fundit për publikun e Athinës, përbën padyshim një ngjarje të rëndësishme artistike, sepse regjisori i ri por tashmë i njohur Filipos Citos, kreu një operacion të vështirë në shoqërinë greke, për të nxjerrë prej saj me guxim e kurajo këtë temë e cila nuk mund të jetë më vetëm e politikës. Filmi flet për një familje greke së cilës më në fund i prishet qetësia, falë zbulimit të papritur se një emigrant shqiptar është biri i kësaj familjeje. Kjo e çpështjellon krejt limontinë e një jete rudimentarem të nënës dhe të birit të saj që, tashmë do t’u duhet të përballen me një situatë të re,sa komike aq edhe dramatike. Por si të mos mjaftonte kjo, regjisori zbulon r thellon edhe më operacionin e vet për të zbuluar një plagë edhe më të rëndë të shoqërisë , e cila ka të bëjë me racizmin, temë aq e nxehtë por shumë pak e parë drej për së drejti në sy. Emigranti shqiptar, rolin e të cilit e luan aktori shqiptar, Anastas Kozdine, bëhet epiqendra e filmit duke i mbajtur ngritur tensionet e tij nga fillimi gjer në fund. Nëna dhe djali në këtë familje greke tanimë të dyzuar : sa grekë edhe shqiptarë, gjë që nuk kalon pa pasoja në rrethet e njohur të tyre. Nëna e përvëluar prej dashurisë për birin e humbur dhe të gjetur sërish dhe i vëllai që e ka të vështirë, në mos të pamundur ta pranojë atë si të tillë. Aktori i njohur grek Antoni Kafexopulos, pronari i një kafeneje të vogël në një lagje të varfër të Athinës, vet i mbarsur me racizëm, tani i duhet të përballojë dyshimin dhe urrejtjen që bie mbi të si djalë i një nëne shqiptare. Pikërisht këtu qëndron edhe pesha e dramës në film, ky lloj dyzimi që përmes situatave komike, zbulon anët e errëta të shoqërisë. Përmbajtja e filmit me pak fjalë është kjo, por përmes një rezonance më të gjerë, filmi ve në lojë shoqërinë konservatore të kohës, e cila me dritëshkurtësinë e saj,tingëllon tejet anakronike, kur vihet në lojë në fund të fundit vet fati i njeriut, i cili pavarësisht nga raca ,është një qënje që meriton të trajtohet vetëm si i tillë. Nëna e luajtur nga aktorja me mjaft përvojë e kinemasë, greke Titka Saliguri, në një fazë depresioni, sa mëson për djalin e saj, shërohet papritur, por kur nuk e sheh më dot djalin për shkak të rethanave që krijohen në familje, ze prapë shtratin. Komizmi i kësaj situate i përballuar me mjaft inteligjencë, prek thellësisht jo vetëm një plagë të vjetër por na bën të shohim edhe plagët e reja, të cilat dhembin edhe më tepër. Vetëm përmes një loje të tillë, gjuha e filmit bëhet më e besueshme dhe filmi do të mbahet përmes këtyre balancave sa artistike e funksionale në përmbajtjen e tij. Racizmi duhet të ballafaqohet me realitetin si një plagë e re e shoqërisë greke, falë rrethanave që u krijuan mbas dyndjes gati biblike në Greqi, të një emigracioni të paparë ndonjëherë nga vendi fqinj, Shqipëria.
Pa marrë përsipër për të folur për tërë komponentët e filmit, do të doja të ndalesha në lojën e aktorit shqipar, emigrant në Greqi, Anastas Kozdine. Është një rol që vjen i freskët, duket i pakonsumuar edhe prej përvojave të tjera kinematografike. Kjo është një lloj përparësie për të pasi , aktori që e vesh këtë ‘rrobë’ për herë të parë, ka mundësinë t’i hap udhë edhe karierës së vet të mëtejshme. Është një lojë e thjeshtë, pa bujë, e intonuar mirë me lojën e partnerit të tij, aktorit të shquar Kafexopulos dhe aktores Saliguri. Një përballje që paraqitet edhe si një shans për të hyrë më me besim në forcat e veta në një film tjetër. Aktori shqiptar sidoqoftë e përballoi me dinjitet rolin e tij të parë dhe duke luajtur me natyrshmëri vetveten, njeriun, i cili në çdo rast nuk mund të paraqitet ndryshe përveçse i tillë. Njeriu që luan vetveten është i besueshëm, sepse atij i mungon nevoja për t’u shtirur.
Paraqitja e filmit Akademia Platon në Tiranë këto ditë, sigurisht që sjellë një copëz jete të komunitetit të munguar të emigrantëve në atdheun e tyre dhe besojmë se, përveçse edhe një shenje miqësie midis dy kulturave, filmi ka për të ngjitur mirë në realietin shqiptar, sepse brenda tij gjendet i shkrirë një shqetësim i përgjithshëm i vet kohës, vështirësia dhe përballja me të e kësaj shtrese për t’u integruar. Në kushtet e një globalizmi, shoqëria shqiptare jep provën e saj për dinjitet dhe përfshirje të tërë vlerave të saj në këtë bashkësi kulturash e popujsh.
Athinë, nëntor 2009
NJE METODË LETRARE NË ARKIV
-
Pak fjalë për librin e Pirro Lolit ‘Duumvirati i një stine që shkoi’
Ndoshta më tepër se lexuesit ky libër do t’i përkas historisë së letërsisë e cila do të kërkojë shumë pika referimi për të ndërtuar një tekst me kritere shkencorë. Megjithatë Pirro Loli me këtë libër duket se e ka mbërthyer veten në kryq. Përmes përkushtimit për letërsinë, ai këmbëngul po me atë nxitim të njeriut që e ka kuptuar se duhet të shkel marshin e shpejtësisë për të kapur kohën e humbur. Asgjë s’do të ketë më vlerë as këto që unë tani po them, nëse nuk i vendos atje ku duhet, duke bërë verifikimet e nevojshme dhe krahasimet që na bëjnë të denjë për të qëndruar përkrah bashkëkohësisë.
Letërsia shqipe nuk ka aq shumë ngjarje sa të mos na tërheqin vëmendjen libra të tillë si ‘Duumvirati i një stine që shkoi’ sepse ky libër pret kohan për ta gjykuar. Ky shkrim le të jetë së paku një përpjekje e tillë dhe sa më shumë hapa të tillë aq më shpejt e largojmë dhe mjegullën, për t’u lënë sa më pak shteg spekulimeve e keqinterpretimeve. Në një farë mënyre kjo përpjekje i ngjanë asaj të heqjes së lëvozhgës për të parë ç’ka brenda fryti..
Libri është një ese e gjatë ku shumëanshmërinë tematike autori e mbërthen në një qëllim të vetëm: Letërsia e Realizmit Socialist, kreu i saj i zbritur në fund, për të parë atë ç’ka ka mbetur nga tërë ky ushqim ideologjik me të cilin u ushqye një popull i tërë. ‘Duumvirati...’ është një piketë prej ku mund të ecin dhe të tjerët, të ndërmerren studime të tjerë më të thellë, vështrime akademikë, përsiatje të tjera, në mënyrë që prej kësakj letërsie të mbete ajo çka përbën shenjë të një kulture të denjë kombtare. Këmbëngulja e autorit si bashkëkohës për të operauar sa më thellë që ai mundet, deri sa mund të durojë dhimbjen prej thikës së ngulur thellë në trupin e tij. Do na duhet të kryejmë një katharsis të domosdoshëm duke përshkuar përmes bashkëkohësisë njëherësh të shkuarën dhe të ardhmen. Rezultati që sjellë autori është më i ploti prej tërë përpjekjeve të deritashme. Komanda ideologjike e tjetërson letërsinë duke e kthyer në shërbëtore, e cila e sheh realitetin përherë si një gjë të kryer duke i vdekur asaj që më parë perspektivën. Në libër këto pjesë përbëjnë operacionet më të vështirë që kryen autori mbi një letërsi gati 50-vjeçare mbi një volum prej miliona faqesh , ku nëpër to koha është djegur dhe shkrrumbi i saj
kundërmon ende në atmosferën shqiptare. Pra fjala është për të riparuar sa mundemi dëmin që kjo letërsi i solli kulturës sonë. Më tepër jo duke kërkuar fajtorët si emra se sa duke zbuluar të keqen, dëmi më i madh i së cilës është tjetërsimi i njeriut, ose thjesht lejfenizimi i tij.
9.7.07
DIMENSION I NJË POEZIE TJETËR
Niko Kacalidha, poet i një elite që nuk rri dot rehat në çdo lloj përcaktimi ku përgjithësisht poetët e vërtetë e ndjejnë veten të tepërt. Ja përse po flas për poetin shumë të rëndësishëm të poezisë i cili i hynë në hak kulturës së dy popujve. Në fakt Niko Kacalidha mund të konsiderohet një fat i poezisë që përcakton në një farë mënyre dhe vet ekzistencën e saj. Unë nuk mund të them se me ç’gjuhë i mendon ai së pari krijimet e veta, por jam i sigurt se aty janë në një ndërthurje si filli te gjilpëra dhe gjilpëra te filli, mendja dhe uemra. Poet sa shqiptar dhe grek, ky poet i mrekullueshëm mund të afrojë dy mentalitete drejt një pike të vetme. Njeriu pra është ai që doli prej këtyre vorbullave të një arti të magjishëm, për të na treguar se ajo që na mungon është atje te mendja apo zemra e tjetrit.
Kemi përpara një poet shumëdimensional e që ka arrtiur një kurbë të lartë artistike.
Kemi një poet dygjuhësh që i rezistoi dy kohëve dhe bëhet përfaqësues i një brezi të tërë por duke ruajtur përveçësinë e një poeti të papërsëritshëm.
Një poet që vihet në qendër të një poezie madhore që mund të shkruante një njeri prej Leshnicës së Sarandës me emrin Niko Kacalidha.
... Këto janë pak a shumë disa nga arsyet që mund ta bashkojnë gjykimin e një shume opinionesh plot të kundërta për t’u bashkuar atje ku ne vendosim një emër, i cili le pas poezinë e tij duke u larguar prej nesh në heshtje. Në fakt mund të kemi dhe një lloj vështirësie tjetër sepse për poezinë e Niko Kacalidhës kanë folur mjaft personalitete të kulturës shqiptare e asaj greke. Atëhere çfarë ne mund të themi tjetër? Por për të mos e kthyer në rudiment, ne kemi mundësi të sjellim, secili më vete pikëtakime të shijeve e koncepteve tona me poezinë e Kacalidhës duke i dhënë përmbajtjen e duhur çdo lloj diskutimi për poezinë. Poezia është e shenjtë dhe si e tillë ajo është vetëm mesazhere e lirisë dhe si e tillë ajo bëhet shprehje e një qytetërimi të lartë.
MUND T’I KISHA THËNË MË PARË KËTO FJALË
-
Shënime për librin Përkthimi i Heshtjes i Alush Avdulit -
Shkruar nga Stefan Martiko
Në fakt është tepër e vështirë për ta paraqitur këtë libër. Në shënimet e mi kritikë e kam të vështirë të përdor emra të përveçëm, vetëm në rastet kur ato më imponohen. Do thënë se në një farë mënyre ato shndërrohen në argumente të përsiatjeve të mia ose thjesht janë duke më tërhequr në ca zona ku më bëhet me dije se atë çast ndodhem pikërisht në botën e ideve. Kërkohet një tendosje e tejskajshme intelektuale për të kuptuar se deri ku shkon kufiri i të folurës reale me atë alegorike, që sipas të gjitha gjasave, me ç’na sjellë libri, shndërrohet e tëra në një vlerë jo shteruese. Nuk nevojiten analiza të mirëfillta por zbulimi i një kodi që bëhet më i vështirë sa më shumë atë e kërkon... Kjo mund të jetë’belaja’ që e gjen një shkrues letrash para librit Përkthimi i Heshtjes të Alush Avdulit. Meqënëse
libra të tillë janë gati të rrallë ndërkohë që libraritë janë mbushur me libra kompromentues, ky libër rri veç, si për të shqetësuar paksa të tjerët që nuk trazojnë pothuaj asgjë dhe vetëm sa shënojnë titujt e tyre me titra verbues.
Libër të inteligjencës do ta quaja këtë libër, frymë që vetëm pritet të çlirohet si pas shpërthimit të një vullkani. Kam dashur më herët t’i them këto fjalë por në fakt kam pritur. Dhe për fat të keq konstatova që pritja kishte qënë fare e kotë dhe unë duhej t’i kisha thënë më parë këto fjalë.
Në pjesën dërmuese të këtij libri të cilin nuk di si ta quash të duket sikur je i rrethuar nga tërë anët nga gjëmbat, gjëmba që e vënë në siklet inteligjencën e lexuesit. Detyra e atij që merr përsipër të shkruaj për një libër është që në mos qoftë mbi nivelin e tij të paktën të jetë baraz me të. Për këtë arsye ndoshta jam vonuar të shkruaj. Një shkak i dytë edhe më i thellë se i pari. Librin tani e kanë në dorë të tjerët dhe unë s’kam ndërmend që përmes këtij shkrimi t’u dorëzoj atyre një doracak këshillash për mënyrën e leximit të tij. Jo, kjo do të ishte një detyrë e pamundur por edhe e padobishme. Hiq 3-4 shkrime të këtij libri dhe pjesa tjetër është përsiatje elitare, është kënga e thellësive ku ka vetëm një për qind mundësi shpëtimi. Por Alushi ka dalë mrekullisht sipër pasi e ka përshkuar psiqikën njerëzore pashë më pashë. Autor që pranohet me vështirësi por bash për këtë ai është shumë herë më i diskutueshëm se të përkëdhelurit e reklamave, më i qëndrueshëm se autolëvdarët, se të tjerë që numërojnë tituj librash pa fund për të kompesuar mungesën e talentit.
Pra Avduli me këtë libër na bënë një ftesë për të gjykuar dhe ndryshe, për të shkatërruar tabutë, për t’i dhënë më tepër liri shprehjes sonë. Duke mos u trembur se mos bëjmë ndonjë sakrilegj, në çastin kur për një gjë mendojmë dhe e shprehim ndryshe. Sa më tepër’përplasje’ estetike aq më e thellë do rezultojë lidhja e letërsisë me jetën. Në këtë libër autori bënë një përzgjedhje librash e autorësh sipas shijeve të tij( gjë që s’besoj se është e qortueshme) por ajo çka ai do të thotë i jep atij një lloj pavarësie prej esteti. Ai me dashamirësi i shqyen kufijtë, nuk trembet se mos është duke shkelur në dërrasë të kalbur, ai guxon dhe kjo është shenjë e një pjekurie që sapo ka nisur të japë frytet e saj. Unë si shumë miq të tjerë të letërsisë besoj se po e inkurajoj, siç e ndjej unë kumtin e tij kisha dashur që t’ua përcjell atë edhe të tjerëve, që do të jenë lexues të tij, ose thjesht të ftuar në një debat por përherë brenda parametrave estetikë.
Te Alush Avduli talentin e shoh si një gjë të kryer, Duhet ndoshta një tejqyrëse me rreze të lartë drite për të hyrë në të thellat e mendimit. Por vini re, më mirë të kthehesh prej andej me një madem të vogël margaritari se sa të kesh peshkuar një balenë me të cilën mund të ushqehen njëherësh një mijë njerëz. Unë kam kohë që e vëzhgoj ecurinë e këtij autori. Më ka intriguar përzgjedhja që bën për leximet e tij, e cila përgjithësisht shkon drejt autorëve më pak të njohur në rrethet tona letrare. Dhe kryesisht të autorëve shumë të diskutueshëm e që kanë përshtjelluar në kohën e tyre por edhe sot botën e ideve. Parapëlqen Bukovskin, të cilit i ka përkthyer në këtë libër një cikël të zgjeruar poezish. Duke zbuluar te vetja Bukovskin, Alushi ka dëshirë ta shoh letërsinë si një sfidë. Kjo i jep atij përparësi për të mos mbetur rob i koncepteve tashmë të kapërcyer. Nderimi ndaj traditës nuk është robërimi ndaj saj por thjesht çlirim prej asaj që ajo vet me mirësi për më tej është duke na ofruar. Egnatia tashmë e plakur pret Koridorin e 8-të, ëndrrat tona shkuan më larg dhe letërsia si qënje si shpirt do të rritet më e shëndetshme. Shpesh në bisedat tona e kemi vënë në mes për ta ‘shqyer’ Zhak Derridanë. Parapëlqimet letraro- filozofike të këtij filozofi dhe mendimtari të jashtëzakonshëm të shekullit të XX, bëhen tepër ngacmuese duke na vënë në dyshim gjithçka ne dimë dhe për më tepër duke ndjerë tmerrin e asaj që gjer më tani nuk e kemi ditur. Alushi vështron larg, aty ku filozofia nuk ka aq dhe për detyrë të na i qërojë nga koret e veta mbrojtëse fjalët se sa të na tregojë se ku ato fshihen. Derisa një mendim i tillë dyshues, përmbysës i arsyes së lexushme lehtë bëhet qëllim për të zhbiruar më thellë në të, një studiues e ka për detyrë të hyjë edhe në këtë ‘ferr’ estetik.. Ky guxim që shpesh keqinterpretohet e keqkuptohet , tregon edhe mjerimin e kulturës sonë. Autori me shkrime të këtij libri na ka zbuluar ndoshta vetëm majën e ajsbergut. Ai dyshon edhe vet se me atë që thotë ka ndërtuar në të vërtet një sistem. Ai në çdo rast është përjashtues në mënyrën e vet për të pohuar atë që një sy tjetër nuk ka mundur ta zbulojë. Intuita artistike njehsohet me veprën artistike vetëm kur ajo ia ka nxjerrë të përbrendshmet e saj përjashta.. Siç jam duke e lexuar unë gjer tani as gjer në fund, nuk do të prirem drejt analizës por veçse të këmbëngul për të nxjerrë vlera të rrezikuara nga anonimati.. Ne shpesh nëpër këto zonat tona të influencave letrare kemi ngritur tribuna e klane. Zona përtej tyre është inekzistente. Letërsia dhe arti nis e mbaron aty me një mijë tabela Rrezik Vdekjeje. Ja pse vjen dhe ky libër në këtë kohë kur gjithkush prej nesh nuk mund të eci drejt pa dyshuar, pa u kthyer mbrapsht për të verifikuar vetveten sepse çdo lloj letërsie e mirë ose e dobët as nuk fillon as nuk mbaron tek neve..
Sidoqofë Alush Avduli e ka pështjelluar opinionin letrar sepse ai jo me qëllim bëhet i pakuptueshëm. Ai gjendet brenda stilit të vet si një mënyrë frymëmarrjeje dhe lloj ekzistence. Parimi i ngritjes paksa të perdes për të zbuluar atë që aty është fshehur, bëhet vërtet intriguese. Duhet të jemi të mëvetësishëm ose të mos jemi hiç fare. Këtë na kumtojnë shkrimet e këtij libri, të cilëve unë tani vetëm sa u kam ndjerë jehonën e leximit të parë. Unë aq sa mundem(dhe kjo e përcaktuar nga fuqia e argumentit që sjell) me fjalët sa më sipër kam dashur vetëm sa t’i bëj mirëserdhjen këtij libri në mënyrën më modeste të mundshme, më miqësore, ndjenjë të cilën dëshiroj ta ndaj me të gjithë ju miq të autorit sot këtu të pranishëm.
Athinë, maj 2010
VËSHTRIM ORIGJINAL MBI HISTORINË
-
Shënime rreth librit ‘ Njeriu, lufta dhe prona’ i Vasil Zenos
-Shkruar nga Stefan Martiko
Dua t’i qetësoj përgjithmonë ata keqkuptues përmes fakteve dhe tajtimin e tyre në libër me një argument sa miqësor aq edhe njerëzor. Vasil Zeno përpiqet përherë të thotë të vërtetën. Dhe aty ku ai s’është i bindur hedh në lojë vetëm faktin për t’ua lënë interpretimin të tjerëve. Herë-herë ky libër më ngjan si një libër total i shkruar për të gjithë e për të gjitha e pavarësisht kategorisë së lexuesve.Ai mbart për çdonjerin prej tyre një mesazh, për pronën, për miqësinë, për rrjedhat e historisë bashkëkohore e asaj të shkuar. Më tepër se fakti aty kemi një lloj vademekumi për shërimin e shpirtrave. Me këtë rast mund të thuhet se sa i lehtë do të dukej në vështrimin e parë ky mision që mund të rezultonte edhe i pamundur.. Vasil Zeno i ka shpëtuar këtij kurthi ku zakonisht bie historia,e cila e\ shfaq shpesh njëanshmërinë e saj. Do të jem vetëm me të vërtetën dhe do të shkruaj vetëm për atë – duket sikur mëton nga kreu në fund ky libër. Kjo u shpëton edhe mangësive që mund të sjellë përdorimi me skrupulozitet i njerës apo tjetrës mënyrë të shkruari të historisë. Libri i ngjan një kronike të gjatë që ka brenda njeriun e sotëm të prejardhur prej së shkuarës së vet, por që ka për detyrë që të mos i lejojë që gabimet e së shkuarës t’i përcillen së ardhmes.
Në mënyrë të veçantë të bënë përshtypje një stil që nuk ka për qëllim të tregojë erudicionin por rrjedhshmërinë, jo përzgjedhjet e qëllimshme por mbartjen e historisë ashtu siç ajo ka ardhur gjer më sot. Kjo e bën librin edhe një pikë referimi sepse përmes trajtimit ose prekjes së çështjeve të veçanta, vihen piketa prej ku priten hulumtime të tjerë më të thellë.
Vasil Zeno duke jetuar larg Shqipërisë i ikur prej saj që kur ishte fëmijë është i painfektuar prej ideologjizmave e pseudopatriotizmi. Ai përpiqet të jetë sa më i drejtë me ato që trajton dhe kjo shndërrrohet në stil, në rrjedhshmëri, bëhet një lloj shtrati që sa vjen e mbushet prej lumit të vet. . Në këtë përkufizim që po i bëjmë mënyrës së të përshkruarit gjuha e shpreh edhe pse e përkthyer plot ngyrime popullore, përfundime vetjake të urta, vlerësime që e vendosin gjithçka pa pasion, por në vendin ku pritet ta gjykojë e ardhmja. Një i larguar nga Atdheu mund të ishte i pushtuar nga malli por kjo do t’i humbiste atë ekuilibër të nevojshëm e vërtetësor që i nevojitet një historiani. Edhe këtë dilemë me veten autori e ka fituar në të mirë të një libri të lexueshëm për të gjithë. Libri përfton kështu një unitet duke e bërë edhe të pangjajshëm, domethënë si një libër më vete që mund t’i shtohet bibliotekës së gjithkujt.. Ky ballafaqim i pritshëm i lexuesit me librin besoj se do të ndodhë edhe për shkaqe të tjerë më të thellë pasi në të ka edhe mjaft pika të nxehta të tjera, për të cilat do shkruhet pambarim, sepse të vërtetat rreth tyre janë thënë përgjysmë. Në këtë sprovë historike e filozofike Vasil Zeno përdor me sukses edhe dokumentin, i cili i adreson edhe më sakt ngjarjet por pa u përfshirë prej tyre ai tërhiqet në çaste të thellë meditimi. Përpos kësaj faktet më duken të freskët e të nxjerrë prej burimeve me përkujdesjen e një studiuesi që përpiqet të kapërcejë me modesti kufijtë e amatorizmit. Ndoshta më janë dukur mua kështu por përshtypja e parë përgjithësisht mbetet më e qëndrueshmja. Kështu kemi në duar një libër të ri që përbën edhe një pasuri informacioni e interpretimi të shpenguar prej argumenteve, për ta lënë të lirë lexuesin të gjykojë vet.. Dua të flas për historinë duke marë shkas prej asaj çka Vasil Zenoja na kumton përmes këtij libri. Ajo më shumë e keqinterpretuara që i ka lënë urët e zjarrit të ndezura drejt konfliktesh të ardhmë e mund të orientohet drjt një fryme tolerance e mirëkuptimi. Autori e vendos historinë në optikën e vet pa njëanshmëri, por nga ana tjetër ecën në gjurmët e saj për të nxjerrë të vërteta të tjera. Urtësia në gjykim do të thosha përbën vlerën thelbësore të këtij libri. Ato që kanë ndodhur me mrekullitë dhe tmerret kanë përcaktuar të sotmen tonë e cila vuan ende gabimet e fajet e së shkuarës.
Historia është ajo që është dhe në fakt ka ndodhur por varet shumë se si ajo shkruhet. Tendencat e njëanshme janë goditje pas shpine e tjetrit. Autori me këtë libër sidomos në trajtimin e marrëdhënieve greko-shqiptare e anasjelltas vihet re një sens që shumë pak ndeshet për të mos thënë se e shkuara më tepër përdoret jo si mësim por thjesht pësim.
Duke udhëtuar gjatë nëpër librin e Vasil Zenos ndoshta do të ngatërrohesha keqas nëpër gjëra që ai i ka thënë shumë herë më mirë se sa fjala ime lavdëruese, që thjesht dëmton ekulibrat mes lexuesve dhe librit.. Por e vërteta që më shumë e ndjej se sa e them është se kemi rastin e shqyrtimit e një libri krejt të veçantë, iniciatvë e rastësishme apo brengë e jetës së një të mërguari? Vet Vail Zeno duke shkruar këtë libër sikur është çliruar prej këtij makthi por i bënë edhe kujtdo një dhuratë të veçantë e tepër inteligjente, diturake, të bukur, shlodhëse dhe meditative.
Ky libër u ndihmua me një përkujdesje të veçantë prej njeriut të pasionuar të letrave Thanas Boçit, po aq sa i ka dhënë dhe më tepër elegancë përkthimi prej poetit të njohur Foto Malo. Këto fjalë të fundit nuk janë thjesht shtojcë por shembull i një bashkëpunimi të frytshëm për ta sjelliur një libër me tërë parametrat e vet etik e estetik. Te kjo punë për të cilën shumë pak flitet nëpër analizat e promovimet letrare, tregon se sa e drejtë ka qënë përzgjedhja e këtij ekipi në mbarështrimin e librit.. Puna e tyre ka ndikuar për t’i bërë më të dukshme pjesët më të rëndësishme të librit duke i vendosur në një sfond ku rriten kontrastet. Sa për paraqitjen grafike të librit nga ana e botuesit Jorgo Metili ne gjejmë dhe një argument më shumë për ta vlerësuar këtë libër si një botim serioz ndër të rrallët që shohim në botimet tona këtu në emigracion.. Pra ky unitet i realizuar mund të kundrohet si shembull i mirë bashkëpunimi për ta ndihmuar sa më shumë që të jetë e mundur daljen në dritë të një libri, jo thjesht si zbukurues i vitrinave por tërheqës në mënyrën e paraqitjes së tij grafike. Një projekt që realizohet përmes hapësirave që krijon tregu i lirë si për nga përmbajtja ashtu dhe forma e paraqitjes së tij, tregon respekt për lexuesin për ta tërhequr në thellësi të brendësive të tij.
Tetor 2010
PENGU I KËNGËS POPULLORE
-Poeti Timo Merkuri i është përkushtuar studimit të këngës popullore duke bërë zbulime të çmuara ne thesaret e fshehura tlë saj-
Një poet që e sheh veten të kapur peng prej këngës së popullit si asnjë tjetër. Duke përsiatur rreth saj Timo Mrkuri krahas disa vëllimeve me poezi që ka shkruar në vite, ngulmon të gjejë thesare të pazbuluar që ruhen ende në kujtesën e popullit. Duke qënë një këmbëngulës i madh dhe guximtar i madh ai nuk stepet para asnjë lloj vështirësie dhe rindërton një histori të re të ligjërimit popullor sidomos të një zone mjaft të pasur në arealin e saj. Merkuri kapërcen vështirësi të shumta filologjike dhe gjeografike duke besuar gjithmonë se kënga popullore fsheh ende visare të pazbuluar. I ndodhur mes poezisë së vet që e kultivon me një individualitet të spikatur, të duket se e ushqen atë prej po atyre burimeve që vet është duke i zbuluar. Studiuesi në këtë rast bënë kërkime në rrënjët dhe kjo është përparësi e që sjellë rezultate të reja pothuaj dhe të panjohura më parë. Është një krijues që ka marë përsipër një mision i cili e ka bërë të njohur edhe në rrethet akademike të studimit të folkloristikës shqiptare. Timo Merkuri duket se është mbërthyer në këtë mision si merimanga që rron veç për të endur rrjetën e saj. Ai e ka parë këngën popullore më nga afër ndërsa shumë të tjerë e shohin si një relike të vjetër të kulturës e historisë. Ai ka dëshmuar rrjedhshmërinë e saj për të zbuluar një identitet të kthyer tashmë në një lloj bazamenti që nuk mund të lëkundet.
Unë kam lexuar disa libra të autorit me këtë temë dhe jam i mahnitur prej zbulimeve të tij, prej lëndës krejt të freskët që sjellin përsiatjet e tij për folkloristikën shqiptare. Një njeri kaq i afërt me këngën mund të vijë vetëm prej asaj aradhe që i ka kënduar e dashuruar atë me forcat e tërë shpirtit. Por duke i shtuar asaj dhe talentin e autorit të tyre Timo Merkuri bëhet plazmë e vet këngës së popullit. Ky folklorist i thekur duhet ftuar të dëshmojë teknikat e veta të zbulimit, sepse shënohet si një vlerë plus e tërë asaj trashëgimnie popullore. Ai jo vetëm që vihet në roje të saj por edhe e ripërtërin duke u kujdesur për të si një kopshtar i mrekullueshëm.. Njerëz si ai që tani po bëhen edhe më të rrallë duhen inkurajuar dhe u krijuar mundësitë e nevojshme, duke u vënë pa hezitim në programet akademike për hulumtimin e një pasurie që gjendet para rrezikut fatal të humbjes. Sepse bazat e krejt kulturës gjenden atje te rrënjët e saj të lashta dhe ato për shkak të mungesës së perspektivës mund të përpihen prej harresës.
Autori e ka vështruar këngën e popullit nga shumë anë duke ndërtuar kështu edhe një sistem për studimin e saj. Kënga si burim i së qeshurës dhe humorit popullor, si vajtim i kobit dhe dhimbjes, si përcjellëse të mençurisë popullore e deri në mbërthimin prej saj të kohës për t’u shndërruar në një lloj kronike të saj. Por dhe si problem të ekzistencës e cila përcillet prej vet tragjizmit të historisë. Timo Merkuri ka një pasion të thellë të cilit i përkushtohet me të gjitha ndjesitë e veta, me tërë forcën e talentit të tij. Autori gjendet pikësisht në kordinatën e nevojshme të eksperimentit njerëzor të traditës dhe historisë së saj, aq i nevojshëm, aq i papërsëritshëm, një zë që duke qënë intuitiv bëhet edhe nga më të besueshmit. Poeti i talentuar kryqëzon kështu veten ndërkohë që ushtron zejen e vjershërimit gjendet para një burimi të pashtershëm. Jo vetëm Piluri i tij por tërë Shqipëria, jo vetëm një zë pot mijëra zëra dhe jo vetëm fjalë por edhe meloditë e tyre. Një vështrim sa i gjerë po aq edhe i thellë. Nuk gjej dot një shembull tjetër të dytë për t’ia përqasur këtij poeti e studiuesi. Ai ve në dipozicion të saj gjithçka pa kërkuar asgjë prej saj. Pra të kthesh një pasion në çëshje madhore të jetës tënde- kjo i kërkohet një studiuesi, një njeriu me vështrimin thelle te historia. Nje njeri i fyellit që vjen prej kohëve të lashta për të prekur ndjesitë e bashkëkohësisë. Njehem i privilegjuar të zbuloj të ky autor atë që ka filluar aq shumë t’i mungojë kohës sonë. Një tendencë për ta shfytëzuar këtë kulturë për nevojat e përditshmërisë që e shpie këngën e popullit edhe drejt shkatërrimit të saj. Ky njeri modern që quhet Timo Merkuri që nget makinën në autostradat duke zbatuar rregullat e qarkullimit vërshëllen në buzë melodi të këngëve të lashta që ushqejnë modernitetin tonë me pafajësinë e sinqeritetin e tyre
Stefan Martiko
Athinë, tetor 2010
NJË LIBËR I MIRËSEARDHUR
-Shënime rreth romanit të Gëzim Strorës Kortezhi i Një Qeni-
Shkruar nga Stefan Martiko
Në romanin e Gëzim Strorës ndodhin gjëra të përditshme gjer në ato të papërfytyrueshme. Kjo e shndërron romanin në një organizëm të gjallë. Një jetë brenda letërsisë si jetë brenda një kohe por e hapur ndaj të gjitha kohëve. Ja pse do ta vlerësoja romanin Kortezhi i Një Qeni si një nga librat e dallueshëm të botuar këtu në emigracion. Një libër që përpiqet t'i afrohet sa më tepër letërsisë së vërtetë.
Çuarja e ngjarjeve deri në ekstremin e tyre është një lloj zgjedhjeje artistike prej autorit për të trajtuar anët tragjike të jetës. Në faqet e këtij romani ka fare pak lumturi dhe në përgjithësi vihet re mungesa e dritës që për lexuesin kthehet në një lloj makthi. Dikush mund ta akuzojë autorin për mungesë optimizmi, por më parë këto akuza le t'i drejtohen Kafkës apo Dostojevskit, apo dhe më përpara vet Shekspirit. Për ne që përjetuam një sistem ku ideologjia e ruante njeriun e ri prej infeksioneve në një lloj inkubatori, duam ende kohë ta vjellim tërë atë lumturi fallse.
Një mori ngjarjesh që sillen rrotull Ritës personazhi kryesor i romanit, e shndërrojnë atë në pasqyrë të të gjithë shoqërisë. Është vet koha që përmes saj arrin të shprehet. . Duket sikur shfaqja e Ritës ndodh enkas për të evidentuar një qytet i cili më parë për këdo ka qënë një enigmë e madhe. Autori në të vërtet është duke kryer një operacion në trup të shoqërisë, si funksionon në të institucioni i së keqes. Nëpër llagëmet e fshehta të tij bëhet një jetë tjetër që një njeri i zakonshëm e kupton vetëm kur është infektuar prej ajrit të helmuar prej saj. Kjo nënshtresë ilegale e shoqërisë vetëm sa shfaq një pjesë të vogël, ndërsa ajsbergu ndodhet thellë i zhytur në det. Kur Rita përfshihet në sektin e Satanajve në tunel është hedhur më tepër dritë për të parë se sa të kalbura janë rrënjët e shoqërisë.
Duke mbajtur këtë ritëm në krejt romanin, Strora ka vendosur ta çajë gjer në thellësi plagën edhe pse dëgjohen ulërimat e tmerrshme të dhimbjes njerëzore. Vetëm përmes nxjerrjes në dritë mund të kemi një shpresë për shërimin e plagëve. Në të kundërt ato do të infektojnë tërë trupin.
Që gjatë kohës që punoja për redaktimin e romanit unë i vura re këto prirje të autorit dhe u përpoqa që ato të bëheshin sa më evidente. Për ta shndërruar vet librin në një akuzë për shoqërinë, për margjimalizimin e saj dhe sidomos ndaj indiferentizmit shoqëror. Ecja nëpër këtë linjë i jep edhe vet subjektit një lloj zhdërvjelltësie dhe ceremonia mortore e një qëni bëhet thjesht prelud i ngjarjeve të tjera më të mëdha. Krimi si pjesa jonë më e keqe duhet mbajtur përherë nën vëzhgim. Përmes kësaj autopsie na zbulohet si një nënvetëdije e jona jeta natore e qytetit dhe fuqia e tmerrshme që gjen krimi për të fshehur gjurmët. Libri është i mbushur me pasazhe të tillë duke bërë një histori të së keqes që nis me jetën e një vajze të pafajshme, e cila lufton për tu bërë qytetare e botës. . Por bota e vret që në syth të lulëzimit të saj për ta devijuar jetën e Ritës nëpër kanale të tjerë që në fund të fundit zbulojnë vet misterin e njeriut. Prej këtij këndvështrimi unë besoj se kam arritur të zbuloj vet thelbin e librit. Dashuri të vrara, lumturi të marra peng, marrëdhënie njerëzore të prishura. Dhe ato pak forca që përpiqen të ruajnë ekuilibrat e shoqërisë. Prej goditjeve që merr shoqëria nis të reagojë e të njoh më mirë vetveten dhe sidomos të ndërrojë taktikat e luftës ndaj së keqes. Pas gjthë këtyre që thamë duket sikur vet romani s'ka fare perspektivë dhe të ngjan veç me një tunel të errët e të pafund. Por lufta me të keqen është ndoshta vet mënyra që ajo të qëndrojë në këmbë. Dhe për këtë duhet edhe pak optimizëm e shpresë. Edhe pse në roman këto ndjesi nuk artikulohen qart ose qëllimisht, megjithatë ne ndjejmë njeriun e ndërgjegjësuar brenda fajit të vet, të një shoqërie që përherë do të ndjekin këta zëra të së keqes.
Sidoqoftë ne kemi në duar një libër interesant që s'mund të kalojë pa u venë re për shumë arsye. Dhe ndoshta arsyeja themelore është vet ajo çka u përpoqëm të shtjellonim më sipër.
Unë fola gjatë për errësirën duke mbajtur në dorë këtë llambë siç po mundem unë ta përfytyroj romanin e Gëzimit, Kortezhi i Një Qeni. Kjo që kthehet në një vlerë të mirëfilltë letrare dhe konkuruese. Përgjatë leximit ne na ka ndriçuar kjo llambë për të na bërë të mundur të njohim më në thellësi vetëveten.
Kritika si estetikë duhet të orientojë lexuesin drejt veprës letrare. Por neve na mungon sot një kritikë e tillë e cila përgjithësisht përcakton edhe tregun e librit. Le të marrim si shembull romanin që jemi duke diskutuar. Ku ta vendosim këtë libër, në ç'shkallë të vlerave të letërsisë, sa peshon ai në kuptimin figurativ? Asnjë përgjigje s'kemi për këto pyetje dhe unë kam frikë se shumë prej vlerave që mund të krijohen mbeten të paevidentuara, të shpërndara andej-këndej pa një inventar të saktë të tyre. Ja pse them që romani i Gëzimit parë në kët aspekt është një libër që meriton vëmemdje.. Unë këmbëngul që pa ia zbehur vlerat në përgjithësi, romani ka sidomos rreth 50 faqe të shkruara me një pathos letrar krejt origjinal. Te këto faqe por edhe më tej nëse doni, shfaqet tirania e tmerrit. Brenda strofkës së satanajve ne kemi hyrë përmes përjetimeve tronditëse. Vende që përditë shkelen prej këmbëve tona dhe nëndheu në fakt mund të përfytyrohet edhe si një lloj ferri, prej ku dëgjohen ulërimat njerëzore.Llagëmet e krimit të përbindshëm që sipër na shfaqet i veshur me maskat e përditshmërisë sonë. Dhe si zakonisht shoqëria njerëzore që i paguan haraç të madh krimit që ajo vet e ka prodhuar.
Me këto fjalë doja të mbyllja këta shënime që sidoqoftë nuk janë shteruese dhe duhen plotësuar në të ardhmen me ndjesi të tjera. Një libër i cili është shkruar për të mbetur si vlerë dhe jo thjesht si rend statistikor.Bumi letrar është thjesht një mashtrim ndërsa vlerat e vërteta janë fare pak. Le t'i qëmtojmë ato me seriozitet dhe përgjegjësi. Le të paralajmërojmë lexuesin se ka ardhur një libër dhe kjo patjetër që duhet konsideruar ngjarje letrare. Sepse librat e mirë nuk qëllohen dot aq shpesh në shenjë. Dhe promovimin e tyre duhet ta bëjmë me përgjegjësi të madhe për të dhënë sinjale për libra të tjerë që mund të bëhen edhe viktima të heshtjeve vrasëse.
POEZI QË VJEN PREJ THELLËSIVE
-Shënime për poezinë e Myslym Maskës-
Shkruar nga STEFAN MARTIKO
Po flasim për një poet brenda kozmosit të poezisë por të patrumbetuar, të pazbuluar pothuajse dhe ndjehem mirë që ndodhem në hullinë për të thënë për të dy fjalë si hyrje brenda një universi. Poeti dhe njeriu siç do ta kishim dëshiruar deri në përkryerje.. Unë siç premtova në fillim dhe s'do mundem dot t'i them të gjitha. Edhe sikur unë të arrij të plugoj gjer në fund poezinë e Myslymit jam i sigurt se ajo pas meje përherë do jetë duke më thirrur.Poezia e tij është një lloj brumi i gatuar prej një majaje që vjen në bymehje prej kohës së vet dhe na lajmëron natën vonë se është duke ardhur.. I veçantë në ato ndjenja aq të holla njerëzore dhe qytetare, zog i qiejve dhe i tokës. Kjo është poezia për të cilën unë doja të kumtoja duke e lënë përherë të hapur fjalën time siç i le vet poezia e tij portat hapur ndaj shumë interpretimeve. Vetëm dy libra dhe pothuaj as dyqint poezi aq sa shkroi Kavafi një jetë të tërë por që kish ngulmuar në përkryerjen e tyre si një eremit që nuk do të kthehet më prej shpellës së vet ku kishte emigruar. Myslymi nuk shkruan dendur ose dhe nëse shkruan dendur kthehet në vlerë gjatë përpunimit të fjalës.. Ai është i verbër dhe i shurdhët ndaj botës ndërkohë që botën e mbanë të tërën brenda vetes. Në një mision fisnik për të na i sjellur përmes një rendi tjetër. Përgjatë leximit të dy librave të tij përjetova emocione të ndryshëm që dhe tani nuk mundem dot t'i ve në një rend tjetër por përjetoj një ndjesi të thellë se kudo nëpër poezitë e tij ku më shumë e ku më pak kam takuar poetin.. Poetin e fjalëve të kursyera nëpër valën e ngrohtë të gjakut të një trupi që edhe një pikturë sado moderne e ka të vështirë për ta pasqyruar në një tablo, pa qënë më parë në të e pranishme frymëmarrja e Myslymit.
Unë s'dua të them gjëra që veshët që i dëgjojnë ose sytë që i shohin t'i zhvlerësojnë prej çfarëdo shkaku. Më duhet të sjell në vëmendjen tuaj dhe të trokas tek çdo portë e mbyllur për t'u ndjerë të gjithë qoftë edhe për një çast të vetëm poezi. Jo thjesht këngë por më parë vuajtje, dilemë dhe hutim para një të ardhmeje që asnjeri prej nesh nuk e di si do të jetë. Kjo është poezia e Myslymit si dhe proza e tij dhe gjithçka tjetër që ai ka shkruar. Përkryerja na mungon të gjithëve, bile unë mendoj se atë nuk e zotëron as vet zoti. Por jemi në udhën e një përkryerjeje për të lënë gjurmë e për t'u bërë referenca të kohës që jetuam. Myslymi me poezinë e tij ka një tendencë afrimi drejt thellësive për t'iu larguar përherë e më tepër anëve. Si një lloj shpuarje e tokës gjer në bërthamën e saj ku ndoshta rri fshehur enigma e njeriut. Tani unë nuk po perifrazoj vjersha e vargje që i kam nënvizuar me një vetëdije të thellë si vlera të qarta pa ekuivoke. Për më tepër unë kam shqetësimin t'i sillem rrotull për së mbari këtij universi për t'i mbërritur me çfarëdo mënyre qendrës së tij. Ja kjo do të ishte një lloj përkufizimi më afër së vërtetës për poezinë e Myslymit nëse vërtet kishim dashur asaj t'i mbërrinim sa më afër. Ky do të ishte Myslym Maska me poezinë e vet një lloj universi i vogël që si Njeri po digjet nëpër dyshimet tona.Më vijnë tani ne mendje fjalët e profesorit tim Nasho Jorgaqi që i bënë një përkushtim poezisë së Myslymit Bredh Rrugëve të Athinës. Fjalët e Jorgaqit janë të magjepsura por më i magjepsur është poeti ynë që i trondit mendjet të zgjohen. Poezi e thjeshtë pa bujë që i vidhet trupit tonë për të gjetur shpirtra në gjumë. T'i zgjojë që njeriu të kuptojë se nuk është thjesht njeriu në pasqyrë por pikërisht ai që në këtë pasqyrë nuk duket. Ky kthim i përhershëm te njeriu përmes këtyre udhëve të panjohura i jep vlerë poezisë si një shartim me vlerë i saj me filozofinë pa e demonizuar këtë të fundit. Në thelb kjo është poezia e Myslymit. Mund të prisni që të citoj tituj poezish e vargje të poezive por unë preferova të merresha me thelbin prej të cilit burojnë të gjitha ato që mund t'i kisha thënë në një mënyrë tjetër.
Poezia e Myslym Maskës nuk është vlerë thjesht te lloji i vargut apo rimës por ajo që poezia e ngërthen në vetvete për të qënë një eksperiment i vazhdueshëm. Nuk është se ajo na i dha zgjidhjet por na la të hutuar në pritje të asaj çka do të ndodhi e cila tani i përket mendjes së lexuesit.Ajo nuk është shkollë ku jepen mësime për t'i mësuar përmendsh. Ajo thjesht mëton me veten duke reflektuar tek të tjerët. Poeti që siç e thotë vet në një poezi që ka pranuar të digjet. Përndryshe asnjë lloj kuptimi s'do të kishte kurrëfarë lloj shprehjeje.. Një poezi që gati e tret krejt lëndën për t'u shndërruar në amebën e origjinës ose thjesht në një frymë të zotit. Ajo është e butë, refleksive që del prej një mbylljeje të thellë në ajrin që neve e thithim për ta pastruar atë prej mikrobeve. Unë këtë çast më mirë do mëtoja për vlerat e poezisë së vërtetë sa të hallakatesha nëpër analiza që e shuajnë etjen në kripëzimin e tokës.
Athinë,tetor 2011
POETI KAQ AFËR NJERIUT
-
Shkruar nga STEFAN MARTIKO -
Peoezinë e Odise Goros dhe vet poetin, njeriun bashkëkohës jemi mësuar t'i shohim bashkë në pazgjidhshmëri. Një njeri që një jetë të tërë nuk e lodhi poezia. Nuk është se për Odise Goron nuk janë bërë vlerësime e venë në dukje shumë anë të krijimtarisë së tij. Por çdo njeri e shoqërojnë kundërshti brenda vetes që prej një çasti fatlumë u jepet leje për t'u bërë publike. Ti ke kapërcyer mëdyshjet në pritje të kohës të vërtetojë ca pandehma të tua dhe për fat ka ndodhur pikërisht kjo. Poeti u njësua me poezinë e tij i shoqëruar me një ndjenjë fajësie ndaj saj mos nuk është i denjë për të qënë anëtar i klubit të muzave. Një njohje e gjatë me poezinë e Goros duke qënë për koinçidencë në kohë shumë të herëshme dhe një nga botuesit e saj, më ka dhënë mundësinë ta vrojtoj me një lloj preference, përmes afrive të sinqerta e shpirtërore. Një jetë gati 64-vjeçare që identifikohet me këtë farë të ndritshme të mbjellur brenda qënies njerëzore e që lulëzon një jetë të tërë me fryte që përherë është paraqitur në variacione të një poezie sa të thjeshtë aq edhe të ndjerë.
Odise Goro ka shkruar tërë jetën lirika të ngrohta e të ndjesive të thella dhe asgjë të shtirë nuk ka në poezinë e tij. Ajo thjesht është pasqyra e shpirtit të tij. Përmes poezisë ai ka krijuar atë lidhje fondamentale me vendin e tij të lindjes, Himarën. Nuk gjej dot një shembull të dytë kaq intrigues të shkrirjes së një shpirti me tokën, malet dhe detin si në një rrethim të përhershëm për t'u bërë pjesë e qënies së tyre.Të përmendësh librat e Odise Goros, shumë libra, shumë shenja, ata të përfytyrohen si një poemë e gjatë e cila vazhdon të shkruhet. Pra gjëra të brendshme të ndjera thellë të plazmuar në një karakter letrar e njerëzor njëkohësisht. Por edhe një njeri që shpesh i lodhur e tërheq pas këtë barrë të rëndë pa mundur dot të shpëtojë prej saj. . Nëse nuk gjej dot fjalë tjetër atë për ta përcaktuar besoj se kam mbërritur brenda thelbit të saj dhe në hullinë e shpjegimit të një dukurie. Poezia e Goros e toneve të qetë që kurrë nuk bërtet, pa patetizma e deklarata ndodhet përherë në shtratin ku një herë e një kohë ajo kishte lindur si prej një shkrepëtime. Ajo që me një vështrim ngjit e zbret malet e Akrokerauneve dhe të një deti që edhe pse i vogël është i mjaftueshëm për ta ushqyer me fantazinë e thellësive e largësive njeriun që dikur u bë rob i tyre. Duket se poezia shndërrohet në një lutje të përhershme për të dalë prej këtij kurthi ngazëllor e të magjishëm.. Janë fjalë që i bëjnë një prerje të çuditshme këtij peizazhi për ta tretur të tërin nëpër mjegullat e poezisë.. Një krijues që duket sikur nuk ndryshon shumë nga poezia në poezi por që në mënyrë të pandërprerë zhvillohet së brendshmi për t'u përsosur deri sa vet poezia të bëhet mbiemri i një njeriu që shndërrohet në skllav të saj. Ky poet që është i hapur ndaj tërë formave të shkrimit ka bërë zgjedhjen e vet me ndërgjegje.Një lirik i pakthyeshëm gjer në përjetësi.
Po flas tani për një njeri që po lexoj së pari poezitë e tij për ta njohur se kur e në ç vend ka jetuar. Dhe padashur bashkohen në këtë mendim të këtij çasti të gjitha, njohja dhe mosnjohja,dëshira për t'u bërë mik me një njeri të largët të një kohe tjetër. Poeti që tani unë e kam si një vizion brenda meje , me një çiltërsi të pashoqe më është shfaqur befas si njeri i tokës, i detit dhe i qiellit. Ajo pa qënë nevoja për të bërë me këtë rast panegjerika që më së shpeshti nuk lënë asnjë lloj gjurme në kujtesë. Ja pse poezia e Goros ka një auidencë më të gjerë se ajo që mund të mendohet duke qënë pjesë e pashkëputur e një peizazhi siç është Himara, e cila do na shfaqet në atë përthyerje madhështore duke zbritur për në Spile si për në varrin e lashtë të saj.
Unë po i jap një prej jehonave si dëgjues kësaj poezie për të mos e lënë atë jashtë vëmendjes duke e shpallur në të njëjtën kohë mik të saj, po druhem se kritçzerët e poezisë do më thonë se ajo është më tepër burimore se e kultivuar. Dhe unë si përgjigje do kem gati në buzë një përgjigje po aq të denjë:Kjo poezi ka autencitetin e saj për sa kohë nuk i ka kërkuar askujt. as vet zotit një fron në të për t'u ulur.
Prill 2012
PËR MËSUESIN DHE KOPSHTARIN
-Shkruar nga Stefan Martiko-
Njeriun siç kisha ëndërruar ta vizatoja në një mbrëmje të thellë të qetësisë sime për ta parë të tërin nga brenda. Dhe ja si e zbulova këtë mik që më ish afruar rastësisht siç zenë e hedhin rrënjë shumë miqësi të pastra dhe jetëgjata.. Njeriu jo vetëm i së sotmes por edhe i një të ardhmeje që na shfaqet përherë para papritur. Unë kisha takuar kështu te Dashamir Eminaj njeriun, urtësinë proverbiale, këshillat që ai iu jep zemëratave për tu zbutur. Ai rri dhe na përgjon sa herë bëhemi të egër dhe shkëputemi me tërsëllimë prej shinave.
Që kur bënte ato seanca pa fund nëpër spitale sa të Shqipërisë e Greqisë për të përcaktuar origjinën e një dhimbjeje të vazhdueshme koke, ai u përcaktua si njeriu që vendosi të jetojë me dhimbjen. Më tregonte se si një herë në një spital të Tiranës kish tentuar të hiqte 'prangat' me të cilat e kishin lidhur pas krevatit ku do të operohej. Por vetëm ai e dinte natyrën e dhimbjeve të veta dhe vendosi të bëhej mjeku i saj. Ai nuk iu përul kurrë këtij demoni duke pranuar bashkëjetesën me të, për ta kaluar këtë jetë që si asnjëherë dhe për askënd s'ka për të qënë një lumturi e përfytyruar.
Kujtoj atë djalë të ri mësues të emëruar diku në një fshat të thellë të një zone malore të Skraparit. E para 'daltë' që nisi të gdhendte karakterin e tij dhe më pas udha tepër e gjatë që e kish sjellur në Greqi si emigrant. Prej këtu mësuesi e gazetari i dikurshëm papritur ndërroi rrjedhën e jetës për tu bërë një kopshtar i mrekullueshëm, që iu jep njësoj si fëmijëve në shkollë po atë dashuri bimëve. Një kopshtar merrë nën përkujdesje këto qënie të brishta që zbukurojnë jetët tona. Mësuesi dhe kopshtari si mjeshtëri plotësojnë njera-tjetrën.Ato ushqejnë rritjen e një filizi për të përgatitur të ardhmen e tij. Dashi e di se bimët dhe pemët janë pasqyrat e njeriut.Ja pse ai nuk është një kopshtar i zakonshëm që kryen thjesht një detyrë sipas urdhrave. Dashi mbjell e sharton,ujit shumë pemë dhe prej secilës merrë ndjesi që e mbushin jetën e njeriut me kuptime të reja.
Dashamir Eminaj një emër të kujton korrespondentin e dikurshëm të Radio Tiranës që dërgonte prej Gramshi lajme që sidoqoftë plotësonin kronikën e kohës.Ai ruan në kujtesë sidomos kronikat që jepte prej Gramshit në vitin e mbrapsht të 97-ës. Gramshi në atë kohë u kthye në një nga pikat më të nxehta të atyre ngjarjeve të tmerrshme që tronditën nga themelet shoqërinë shqiptare dhe vet shtetin. U shpërthye fabrika e armëve dhe qyteti u kthye në një treg të madh armësh. Qëllohej nga të katër anët.Një kaos i vërtetë dhe janë pikërisht kronikat e këtij gazetari që na ndihmojnë për të kuptuar anën tragjike të këtyre ngjarjeve. Guximi dhe kurajoja e tij në përshkrimin e asaj që po ndodhte nëpër valët e Radio Tiranës të kujton raportimet e gazetarëve nga fronti i luftës. Një përvojë unike dhe e pashembullt. Dhe e tërë kjo metaforë që përshkoi jetën e tij për të mbërritur te ky cak ku ne na mungon përherë fjala e duhur për t'i dhënë emër një jete.
Mësuesi që kujton çdo 7 Mars qoftë edhe i vetëm zilet e mësimit që bien, ato turma laramane fëmijshë që rendin për të zënë vend sa më shpejt në bangat e para. Po vinte mësuesi. Dhe është Dashi që e përjeton këtë ditë me një emocion të thellë. Si shpërblim për jetën e vet, për sakrificat, për ato pak gjëra që përherë e pa u ndalur prej kujtesës sonë humbasin. Dashi që tërë jetën e kaloi përmes kësaj dhimbjeje të pashërueshme koke, vendosi të bashkëjetonte me të. Dhe ky rast i rrallë ndoshta i pashpjegueshëm edhe shkencërisht, e bëri njeriun të thjeshtë e gazplotë,mik të shumë njerëzve,të njohur në rrethet e mësuesisë jo vetëm të Gramshit por edhe më tej. Jeta e Dashit të habit me ritmin e saj sa herë-herë të ngjan me aventurën por një aventurë pozitive që i lejon njeriut të shprehet maksimalisht.
. Dashamir Eminaj si një nga miqtë e mi i takuar rastësisht në udhë pothuaj e gjej çdo mbrëmje në një nga tre-katër kopshtet përreth pallateve ku është i punësuar. Sa ka rënë mbrëmja dhe një dritë e zbehtë që e bënë atë dhe pemët gati të padukshëm.. Dhe të mendosh sa larg ndodhet tani Gramshi i tij prej Galacit, lagjes së Athinës ku ai jeton prej gati 15 vjetësh.. Si përherë me po atë dhimbje që është duke e sfiduar me brishtësinë e artit të punës së tij. Çdo pemë e lule e mbjellë harmonizon të tërën duke e kthyer punën në art. Kopshtaria që i ka bërë të njohur shumë shqiptarë në Greqi është pjesë e një kontributi më të madh ku janë të shkrira energjitë më pozitive të këtyre njerëzve punëtorë e artdashës.
Njohja me njerëz të tillë si Dashamir Eminaj kthehet njëherësh në një detyrim shoqëror për ta bërë të njohur jetën dhe simbolikën e tyre.. Të duket sikur tërë përvoja njerëzore është shkrirë në shembullin e tyre, në urtësinë e fjalës dhe energjinë e veprimit.
Historia e një dhimbjeje kështu kishte filluar. Në garat vjetore të gjimnastikës ku ekipi elbasanas po bëhej gati për tu ngjitur në kategorinë e parë, papritur Dashi gjatë garave të kontrollit aksidentohet rëndë. Si gjimnast ai kishte të ardhme por kështu mund të ndërpritet edhe një ëndërr.. Qysh atëhere ai në jetën e tij pati një mik shumë të vështirë-këtë dhimbje- të cilën do ti duhej përherë ta nënshtronte.. Dhe ai e gjeti forcën për t'iu kundërvenë asaj. Ai u bë një mësues me emër në rrethin e Gramshit. Përkushtimi ndaj mësuesisë qe baraz me kurën më të mirë për të mbajtur gjallë optimizmin. Por emri i tij i mirë si mësues nxiste dhe cmirëzinjtë që ishin më afër pushtetit për ta penguar vlerësimin e punës së tij. Propzimi për dhënien e titullit Mësues i Merituar mbeti sirtarëve të burokracisë shtetërore. Ky është dhe pengu më i madh i Dashamirit. Ai kurrë nuk flet me emra por nuk e fsheh dot pikëllimin pse pikërisht këta njerëz siç po ndodh edhe sot në Shqipëri, krijojnë opinione për njerëz e situata jashtë kontekstit real të ngjarjeve dhe kontributeve. Dhe kjo dhimbje nuk ishte si ajo fiziologjike që e shoqëron tërë jetën por edhe më e thellë, shpirtërore, plagë e hapur njerëzore dhe shumë e vështirë për tu kuruar.
Dashi është duke iu afruar të 70-ave. Jeta që arrin një kulm dhe njeriu që përherë mbi shpinë atë është duke e mbajtur. Kopshtari pa këtë dritë të përvojës nuk e zbukuron dot natyrën, nuk i jep dot as atë çka më të bukur te vetja. Ai që e përjetoi si humbje të thellë edhe tharjen e një limoni këtë verë, ndërsa në Shqipëri priten pa u menduar thellë pemë edhe nga ato më të lashtat. Ai tani është një mjeshtër. Një mësues s'ka si ta mbyll ndryshe përvojën e jetës veçse duke e ushqyer atë përherë me perspektivën. Pikërisht ajo që ai pret të rritet. E mbjellë prej duarve të tij kjo bimësi gjallon jetën dhe fisnikëron njeriun.
Athinë,tetor 2012
NJË LIBËR /POR DHE JO VETËM /PËR KAVAFIN
Shkruan Stefan Martiko
Kohët e fundit doli në qarkullim libri me ese i Vasil Vasilit DRITA/ret /e Arsyes si TIRAN/i/. Botuar prej shtëpisë botuese Albin në Tiranë,libri tërheq vëmendjen për origjinalitetin dhe kërkimin në thellësi .
Në gjuhën shqipe për herë të parë kemi ndoshta një përpjekje të realizuar në një libër për një autor të huaj. Libri DRITA/ret/ e Arsyes si TIRAN/i/ I Vasil Vasilit mund të veçohej edhe për shumë arsye të tjera por mbi të gjitha ai kthehet në një sprovë eseistike për Kavafin dhe rreth Kavafit..Një autor i kyçur brenda një universi siç vazhdon të gjykohet edhe sot poezia e Kavafit, flet për pjekurinë e një letërsie dhe bashkë me të edhe një mendësi të re kulturore, që përpiqet të zhbëjë kufijtë dhe të futet në garë me mendimin letrar më të përparuar bashkëkohor. Kavafi si objekt i venë përballë Vasil Vasilit bëhet shkak për të zbuluar lidhje të tjera për të shkuar sa më afër zanafillës.. Duket se Kavafi vazhdon të jetë punë e pambaruar e kritikës sepse ai nuk do të jetë kurrë një univers i vdekur. Një 'sondë kozmike' që atij i afrohet më me guxim besoj se është ky libër. Ky përkufizim i një përpjekjeje nuk ka vlerë për t'i vënë thjesht një notë, por për ta parë atë në një kuadër më të gjerë. Ka ardhur ndoshta koha që studiues shqiptarë të afrohen më me kurajo drejt vlerave universale ashtu siç bëri Noli me Bethovenin, për të dalë prej një inferioriteti që nënkupton vetëm konsum dhe jo krijim të vlerave.
Leximi i një libri të tillë kthehet në detyrë të mirëfilltë intelektuale. Kjo sepse vetëm një talent i spikatur kryen gërmime për të zbuluar pamje e vende të qytetërimeve të kaluar. Në rastin tonë Vasil Vasili përballë Kavafit duhet kuptuar dhe si një sfidë. Përmes ndriçimit të disa poezive që janë në themel të poetikës së Kavafit gjendemi para një rizbulimi ku ngre siparin një botë po aq e panjohur. Vet guximi për t'iu afruar një universi poetik kthehet në shenjë që na mbush me shpresë se kultura shqiptare gjenë shumë pika takimi me kulturën botërore për tu bërë pjesë integrale e saj. Sepse vet Kavafi kështu e kishte konceptuar poezinë e tij. Ai e kundroi të shkuarën si prurje të vazhdueshme dhe të sotmen si vlerë të shtuar të saj.. Kur themi që Kavafi qoftë edhe me rreth 200 poezitë që shkroi është një univers, nënkuptojmë nevojën për ta zbuluar. Afrimi drejt tij si në esetë e Vasilit nuk bëhen drejt për së drejti por duke eksploruar më parë periferinë e poezisë së tij dhe më pas të tentohet drejt qendrës. Prej saj që me gjithçka edhe mund të digjesh.
Duke i ikur Kavafit Vasili bënë zbulime më në thellësi dhe parashtron koncepte e ide që përmbajnë të vërteta tronditëse. Sepse nxirren prej burimeve të thellë të nënvetëdijes. Rreth e përreth Kavafit-kështu mund ta përkufizonim këtë libër që qëllimisht shmang referencat e ballafaqimet, si për t'i dalë zot asaj që kthehet në një shprehje të rëndësishme plot përmbajtje e vëzhgime befasuese. Ikja prej tekstit në kërkim të hipertekstit. Kjo është fryma e kritikës së sotme postmoderne me përfaqësuesit më të shquar të saj si Derrida,Foko, Barthes, Barthelme e të tjerë që duke mos e 'shqyer' krejt veprën e një autori përmes saj përkufizojnë prirjet e zhvillimit. Letërsia në shqyrtim kthehet në një vatër ku mendimi filozofik përpiqet të përfaqësojë kohën, këtë të sotme që ndodhet në prag të një të ardhmeje, të panjohur e të paparashikueshme. Te Kavafi qysh herët në agim të shekullit të XX u dhanë shenjat e rikonceptimit të letërsisë për t'iu larguar akteve normative të romantizmit e realizmit. Vasili zbulon dritën që vjen prej Kavafit e shtypur prej errësirës së saj. Shumë pak shpjegim dhe vërtitje rreth tekstit për të dalë aty ku Kavafi ende mbetet i pazbuluar.. Është koncepti për t'i gjetur lumit një shtrat të ri për të ripërtërirë kështu dhe natyrën së cilës njeriu po ia shterë me shpejtësi burimet e ripërtëritjes së saj. Mënyra si Vasili përpiqet të depërtojë në poezinë e Kavafit, është gjetja e një çelësi nëpër të cilën askush tjetër më parë në këtë univers nuk ka hyrë me kaq besim e ego artistike. Kështu plotësohet letërsia që tani trajtohet si pjesë e pandarë e kulturës dhe në bashkëlidhje me krejt prirjet bashkëkohore të zhvillimit. Këtë detyrë një brez duhet ta përmbush si mision. Vasili zbulon te Kavafi ca çelësa gati magjikë për të ndërhyrë më vonë në të me operacione të vështirë për të zbuluar thelbin.. Dhe më deket se ia ka arritur qëllimit duke fituar në të njëjtën kohë çertifikatën e një kavafisti të papërsëritshëm.
Mendimi bashkëkohor bënë një trysni të vazhdueshme mbi çdo krijues dhe është pikërisht kjo që postmodernizmi përshfaqi hapur si pretendim: rivlerësimin e së kaluarës, zbulimi i skuatave të saj më të thella. Me vetëdijen e qartë se aty fshiheshin thesare të pazbuluar ende. Në këtë veshtrim esetë e Vasil Vasilit sjellin një risi të re jo thjesht studimore por përvijojnë për më tepër një tendencë. Një ftesë për të hyrë në letërsi me synime të tjerë. Me një frazë elokuenete e të ngarkuar emocionalisht poezia kavafiane i nënshtrohet gjatë gjithë librit një shqyrtimi skrupuloz. Në tërësinë e vet gjithçka që Vasili qëmton në këtë libër kthehet në një lloj shprehjeje që përvijon qart përcaktimet e tij të mëtejshëm.Shprehja si risi që e ribënë dhe jo thjesht e përpunon gjuhën duke zgjeruar mundësitë shprehëse të saj.. Ndoshta Vasil i gjendur në hullitë e strukturalizmit i kërkon këto mundësi te gjuha që sipas strukturalistëve shprehja shkon gjer në skajshmërinë e saj. Ndoshta gjer aty ku mundësitë më tej shteren. Një libër që duket sikur synon shterjen për shkak të frazës së ngjeshur. DRITA/ret/ e Arsyes si TIRAN/i/mbart shumë ngarkesa. Dritare të inteligjencës. Libër i nxjerrë nga vetja i nevojshëm për të ushqyer varfërinë e të përditshmeve tona. Po ku ta gjejmë atë, në cilën bibliotekë, në cilin skedar, cila krtikë do na i rekomandojë përgjigjet për tërë këto pyetje? Libri i sapodalë duket sikur ka ngrirë te vetja. Autori që në çastin e botimit të tij është tërhequr. Ai ka plane të tjerë dhe s'ka më kohë të kthehet për të parë gjurmët prej ku është duke ardhur. Çfarë shërbimi tjetër mund t'i bëjë një autor librit të vet veçse duke e shkruajtur atë sa më bukur? Prej Dritareve të Arsyes... sidoqoftë vjen një thirrje: Jam shkruar për tu lexuar, jo për tu zhdukur prej bibliotekave tuaja. Kaq i vogël sa ç'jam me 80 e ca faqet e mia s'dua ta kem varrin në ndërgjegjet tuaja.
Athinë,nëntor 2012
NJË KUJTIM PREJ VERËS SË SHKUAR
Takuam në udhën tonë një njeri që nuk do na shkulet nga mendja si diçka e mbirë tek ne për të kthjelluar mendjen. Sidomos për të na treguar se si një punë të pambaruar duhet të kthesh në vullnetin tënd për ta shtyrë atë përpara drejt synimeve të tua që kanë më tepër lidhje me ëndrrat e njeriut. Se koha vrapon dhe ti s'të mbetet kohë tjetër për ta kapur, për shkak të shpejtësisë së saj dhe mungesës së kohës tjetër për të na pritur. Kjo qe pak a shumë ndjesia e takimit me Bektash Shorrin në Konispol verën e shkuar ku ne ishim të ftuar në dasmën e Nertilit, djalit të mikut tonë Alush Avduli, që për 'sebepin' e familjes së tij kish zgjedhur një grup krijuesish letrarë që nga Athina në Tiranë, për të shkuar më pas gjer në Patër, ndoshta për t'i dhënë dasmës së djalit të tij një 'nur' tjetër. Dhe 'kumbara' e kësaj dasme ishte pikërisht Bektash Shorri për të cilin tani kemi nderin të flasim. Ai që na priti e na sajdisi në ato pak orë të qëndrimit tonë në Konispol, çast që më vonë do ta ndjenim sikur të kishim udhëtuar përmes një ëndrre, dhe që do të na i bënte këtë përjetim të jetonte përtej këtij çasti. ndoshta si një kumt që u jepë tjetër vlerë jetëve tona.
Ai që na priti dhe na krijoi mundësinë për të njohur njeriun që përballon njëherësh shumë prej intensitetit të saj, sidomos në këto kohë jo dhe kaq të mira kur kriza ka prekur jo vetëm Europën por i sillet rrotull tërë botës.Ky njei që ka në qendër të qytezës një farmaci veterinare dhe ushtron mjeshtëinë e mjekut veteriner prej këtu dhe më larg Çukës së Ajtoit. Prej kësaj kodre pjesë e një trashigmnie të lashtë të cilën tani po e shohim të mahnitur bashkë me mikun tonë, shkrimtarin e njohur Moikom Zeqo . Jemi një grup njerëzish të letrave,Vasil Vasili , Halil Shabani, Pajtim Çaushi me mikun tonë prej Konispoli, gazetarin e njohur Hilmi Jupen. Por duke na treguar, vështrimi I Bektashit bëhet edhe më i largët, sepse ne prej kësaj hapësire mund të shohim tani edhe Ksamilin ose thjesht një imazh të tij ku Bektashi me Manushaqen, gruan e tij kanë ngritur atje një hotel turistik. Këtu në Konispol ai mbartet për të zgjidhur problemet e së përditshmes , të vetat dhe të të tjerëve që trokasin në derën e farmacisë së të tij dhe atje më tej, në Ksamil për të zgjidhur problemet me të ardhemn si një horizont më i gjerë që ka hapur tani perspektiva e zhvillimit.
Falë përkujdesit të tij njeriu ndjehet njëherësh i paqtë dhe i respektuar në një vend e njerëz që e mikpresin për t'i larguar tejhuajtësinë. Jemi plot mbresa prej përkujdesjes tënde zoti Bektash dhe nuk dimë si ta shpërblejmë ndryshe sjelljen tënde. Aq sa dhe nuk kemi shumë kohë për të folur për bizneset e tua, ndoshta dhe për mërzitjet e tua që janë pjesë e natyrshme e jetës. Kemi shumë mbresa dhe për ta kapur këtë fill në tërë këtë mori ngjarjesh të vogla të asaj mbrëmjeje qënka e vështirë për tu shprehur e tëra, në kufijtë e në shkrimi që tani gati-gati po e humbet karakterin e një detyrimi shoqëror, ose të një fjale të dhënë rastësisht aty prej një emocioni të thellë e të çastit. Detyrim që na u kthye njëherësh në një nevojë shpirtërore për të shprehur jo thejsht mirënjohjen për ty, por në radhë të parë veten, të gjendur befas para një respekti kaq të thellë e të prekshëm njerëzor.. Dhe themi se njeriu qënka vrulli i shprehjes së një çasti të madhërishëm. Pa bërë biografinë tënde Bektash ne miqtë e tu duam të përcjellim një mesazh që ndoshta ka shumë për të rezonuar në të tërë kohët. Ti na prite si shërbëtor duke lartësuar veten tënde në rangun e një princi të kështjallave të dikurshme. Na dhe zemrën tënde-dhuratë më e pakthyeshme- shërbimet e tua të vogla në dukje por që kanë fuqi të çarmatosin egoizmin e pafre të kohëve që jetojmë. Ti na dhe gjithçka që njeriu i sotëm nuk ta jep pa llogaritur më parë shpërblimin. Dhe ne besojmë shumë te kjo ndjenjë e lartë njerëzore për të besuar njëkohësisht te njeriu dhe tek e ardhmja e tij. . Ti na befasove me sjelljen tënde teksa zotëroje aftësitë për tu përballur me kohën dhe vështrimin tënd në largësi. Ti miku ynë që more nga ne këtë çertifikatë mirësjelljeje kaq shumë të nënvleftësuar sot, kur njeriu po merrë revansh të pakontrolluar drejt fitimit, duke braktisur shumë nga virtytet e vlerat njerëzore.
Ne as vet nuk e dinim që Bektashi do të bëhej personazhi i reportazhit tonë të ardhmë. Por mbresat e asaj kohe të shkurtët kanë qënë shumë të fuqishme dhe përmes këtij shkrimi ne po përpiqemi t'i bëjmë ato të paharrueshme.. Njeriu intensiv që përpiqet të japë maksimumin e mundësive të veta. Njeriu në kërkim të mirëqënies që përcakton perspektivën jo vetëm të vetes por edhe të një kohe e vendi. Frytet e kësaj pune si çdo komb edhe shqiptarët do t'i ndjejnë si një çast rilindjeje. Por vetëm kur të kemi sa më shumë Bektashër dhe më tepër vizionarë, në mënyrë që çdo lloj e ardhme të mos jetë kurrë e largët ose e paarritshme.
Ç'kemi lënë pa thënë për ty Bektash është thjesht një mungesë kohe që do na nevojitej për të shkruar më gjatë për modelin e mikpritjes dhe sjelljes së njeriut që respekton traditën, jo thjesht si bestytni por si një nevojë për të shprehur në radhë të parë veten. Bektashi, miku ynë është ndoshta i denjë vetëm për tregimet e Mopasanit që papritur zbulojnë në një kënd të harruar njeriun. Që prej mënyrës si përgatisje krevatët tanë për të fjetur, që nga fjalët që zgjidhje deri te ajo atmosferë që na krijove që ne të përfshiheshim krejt miqësisht në atë ti çka na dhuroje. Një njeri që ndoshta i kish zgjedhur hallet e veta dhe për të potësuar veten kërkonte miqësi të reja, njerëz që do t'i mbushnin jetën me përfytyrime të panjohur e me më tepër optimizëm.
Një herë tjetër kemi për të fjetur në hotelin e tij në Ksamil të cilin e përfytyrojmë si një parajsë. Prej këtu në Konispol të magjepsur prej pamjeve të papërsëritshme që na ofron Çuka e Ajtoit me fushat pa mbarim të Vrinës.Gjithçka përjetuam verën e shkuar në Konispol bëjnë pjesë në ato pak çaste që njeriu ndjenë nevojën për të mos i harruar kurrë dhe ta kthejë miqësinë me Bektash Shorrin në tërë jetën e tij si një pikë referimi.
Stefan Martiko
Myslym Maska
Dhjetor 2012
NË LUFTË PËR TË MPOSHTUR TË KEQEN
- Shënime rreth romanit të Miho Gjinit Letra Nga Spanja -
Shkruan: Stefan Martiko
Droga është nga plagët më të rënda e më të dhimbshme të shekullit XXI. Ajo që po organizon ndijimet tona për të kuptuar ç'rreziqe është duke mbartur e ardhmja e njeriut.
Libri i Miho Gjinit në mos më tepër qoftë edhe për këtë është një thirrje. Por në tërë kalvarin e gjatë të vuajtjeve nuk duhet të tërhiqet as familja, as shoqëria gjersa viktima e përgjakur në duart e tyre të ringrihet për të kuptuar se ajo që dikur nis si aventurë shumë shpejt mund të kthehet në një fatkeqësi të tmerrshme.
Në librin Letra Nga Spanja i pari ndoshta me këtë temë në letërsinë shqipe ne zbulojmë jetën e një familjeje nën tmerrin e drogës. Një tmerr i pafund gjersa një ditë njeriu i pafuqishëm para saj edhe mund të dorëzohet. Shoqëria zgjohet vetëm kur e keqja ka trokitur në derën e saj dhe kur sheh se rrugëve të qyteteve tanë dergjen kufoma të droguarish fatkeqë, në një kohë kur vet shoqëria është duke fjetur. Shëndeti i saj është i kërcënuar seriozisht. Nëpër këta pasazhe që mbartin një të vërtetë të madhe jetësore kalon pothuaj krejt romani Letra Nga Spanja. Ai të turbullon ndërgjegjen, të shkund fort duke të paralajmëruar se kjo që po ndodh në këtë familje nesër mund të jetë mysafire e paftuar në shtëpinë tënde.
Libri ka pak personazhe pak a shumë aq sa ç'mund të jetë e përbërë një familje. Të tjerët dhe pothuaj e tërë shoqëria shfaqen në sfond si për të stigmatizuar indiferentizmin shoqëror. Sa të hyjë në rol policia, shoqëritë mirëbërëse që ndihmojnë të droguarit të rimëkëmben e të tjera sfonde më të zbehtë që plotësojnë këtë temë prej së cilës shumë shkrimtarë të sotëm largohen prej saj si djalli nga temjami. Shoqëria është e pranishme në roman në një mënyrë tjerër, një gjë gati amorfe, soditëse nga larg, gjë që e bënë edhe më të frikshëm kërcënimin e kësaj mortaje shoqërore.
Sidoqoftë në këtë libër kemi bërthamën e një drame të madhe ku viktima në qendër zbulon defektet e funksionimit të një shoqërie. Në krye të kupolës së këtij krimi të tmerrshëm gjendet mafia, kartelet e drogës, ato nyje legale e ilegale të prodhimit e trafikimit të drogës. Edhe pse është në shënjestër shumë pak plumba e godasin këtë bishë të së keqes. Duhet të vuash prej saj si në rastin e përballimit me këtë libër që të sjellë në kujtesë sa pak jemi të mbrojtur prej rreziqeve të së ardhmes dhe sa shumë prej saj jemi të kërcënuar. Kjo dramë që me sa duket do të jetë edhe për shumë kohë bashkudhëtare e njeriut vazhdon të prodhojë viktimat e saj. Një krim që mbetet përherë pa fajtorë sepse krimin e mbron vet shoqëria me mungesën e vullnetit për ta luftuar atë frontalisht.
Në roman ka një tension të vazhdueshëm i cili asnjëherë nuk ulet përveçse në fund kur familja e Edit bashkohet në Sevilje ku i droguari ka gjetur strehë në një shtëpi rehabilitimi. Lexuesin mund ta shoqërojë ky ankth gjer në fund të tunelit ku nis të duket një rreze drite. Autori nuk bënë asnjë lloj kompromisi me realitetin duke i çuar gjer në zgrip situatat përgjatë të cilave ne vërtet kemi besuar se ato po shkojnë deri në pakthim. . Por ndërkohë lufta vazddon në një mijë e një forma të tjera edhe kur duket se më tej çdo përpjekje është e pamundur. Nisur nga ky konstatim unë do të vija në dukje zhdërvjelltësinë e e penës së autorit, shkrimin pa kompromis të një dhimbjeje të thellë njerëzore që gati po i afrohet një tragjedie të pashmangshme. Por njeriu – pohon autori- nuk duhet t'i dorëzohet së keqes aq më tepër kur ajo përpiqet të rrëmbejë në kthetrat e saj te njeriu shpresën për të ardhmen.
Nisur nga gjithçka thashë më sipër unë besoj se ky roman do e pasurojë bibliotekën e librit shqip. Do të jetë i kërkuar prej lexuesit sepse ai ve gishtin mbi një nga plagët më të rënda të shoqërisë. Përmes një narracioni të shkruar plot ritëm e gjuhe të pasur romani Letra Nga Spanja na vjen si një befasi dhe kritiku i teatrit sot si të thuash i ka hyrë me guxim në hak letërsisë në sprovën e tij më të madhe.Një përballje e tillë me letërsinë është shenjë pjekurie artistike, sfida që një krijues duhet tu bëjë kërkesave të larta të saj.
Letësia shqipe fitoi një libër për ta bërë atë pikë referimi të problematikës së saj. Kjo temë e madhe e tragjizmit të kohës sonë është bërë interpretuese e shpirtit të trazuar të epokës. E kujtoni filmin Nëse një ditë do trokasësh në derën time. Krejt dramën e atij filmi tani e gjejmë të transplatuar në një libër me një autor tjetër prej një vendi tjetër. Por me një përvojë tragjike të njëjtë, me po atë dhimbje që tani si një e keqe e madhe po përshkon jetën e njeriut modern nga kontinenti në kontinent. Dhe shtrohet pyetja: mos vallë ne me indifrentizmin tonë atë vet e kemi shpikur?
Në rastin e romanit të Gjinit kemi një marrëdhënie të hapur të letërsisë me shoqërinë. Guximi artistik për të ndërhyrë deri në qelizën më të thellë bëhet kështu pjesa më e dukshme e suksesit në një letërsi. Dhe tema e këtij libri është kaq e nxehtë, gati epokale me përmasën e saj të shqetësimit që po i sjellë njerëzimit edhe pse e transmeton atë vetëm përmes një celule të vogël, siç është familja. Një i ri që devijon prej moralit, njësoj si t'i ketë shpallur luftë asaj. Në këta raporte që krijohen autori i le urat të varura për të mos i shkëputur krejt lidhjet sepse nëpër këtë pasarelë është duke parakaluar e tërë shoqëria. Lajmet e mbrëmjes a s'janë mbushur me ngjarje të tilla tronditëse? Duket sikur vet koha lëviz përmes akrepave të saj. Si në rastin e familjes së viktimësss ku ka ndryshuar krejt rrjedha e ngjarjeve në një kohë që duket sikur shoqëria fle gjumin e harresës së saj.
Kjo kronikë e zezë e shkruar me të bardhën e shpresës-ja ç'mund të ishte përcaktimi më i drejtë i vlerës së këtij libri.Lexuesi me të ka për të bërë një bisedë të gjatë dhe tepër impresionuese, sepse përballja me shqetësimin e së sotmes nuk është në deshirën tonë por me atë që më vonë do të na tregojnë viktimat e kësaj tragjedie,
Athinë,janar 2013
NJË LIBËR QË VJEN PËR TË QËNË I PËRVEÇËM
- Përsiatje rreth romanit të dytë të Robert Martikos Flijime të skajshme
Nga Stefan Martiko
Libri i dytë i Robert Martikos Flijime të skajshme vjen plot rezonanca për një kohë të tashme por më tepër për të shkuarën e sidomos për të ardhmen. Leximi i një libri të rëndë si të kish kaluar më parë andej vet Kafka, ku te plagët njerëzore ngulet pena për të nxjerrë një grusht qelb të verdhë. Më bëhet se në këtë libër të dytë ka më tepër lëndë të ngjeshur, ndoshta nga që autori duket më i përqëndruar te objekti, por asnjëherë/si shkrimtar i vërtetë/ nuk mbetet rob i subjektit. Ai sa ç'është i mbyllur ndaj imazhit, po aq është i hapur ndaj temës. Imazhi, do të thoshja, për të qënë dhe më i kuptueshëm, ai vrap i dritës për te objekti i saj në errësirë.
I tërë tregimi i autorit lëviz përmes absurdit dhe aluçinacionit. Por veç sipër tyre me një qartësi të çuditshme qëndron ideja e autorit, ai që mba në duar këtë fill të pleksur keq dhe që përpiqet ta çpleks për të ruajtur ekuilibrat njerëzorë. Është edhe një kujtesë e mrekullueshme-atribut i nevojshëm për t'u bërë shkrimtar- ajo që sjellë një pasuri të pafundme shprehjesh, kohët e të gjitha epokave, për t'u pleksur te kjo qendër që paraqitet si një e sotme që s'do të tejkalohet kurrë.
Duket sikur romani përmban fare pak lëndë, por në të vërtet ajo paraqitet tepër e ngjeshur me ato adresa që më së shpeshti, po të mos kesh me vete udhëzuesin, të ngatërrojnë rrugën. Por autori në fakt ka për qëllim të përfshijë në të krejt botën dhe jo vetëm veten, por tërë njerëzit, viktima të rrethanave që do t'iu duhet të kalojnë përmes këtyre përvojave të tmerrshme, për të gjykuar pastaj më me drejtësi botën.
Tani studiuesit e estetët nga Makbethi psh. nxjerrin formula Makbeth-Ledi Makbeth, Malkolm - Makdaf etj. Por Shekspirit as që i kishte shkuar në mendje se ato mund të ishin të ndërvarura prej njera-tjetrës. Ndërgjegjja artistike si lumi që ecën, di vetëm se bashkë me të po sjellë vet kohën, por jo dhe mënyrat se si duhet ta zbulojnë atë të tjerët. R. Martiko ndoshta gjithkujt i përgatit një kurth, duke përqasur subjektin me jetën e vet autorit.
Besioj se këtij libri i duhet organizuar një lloj pritjeje, si ta them, të bëhet një festë letërsie,ku të lajmërojmë se na ka mbërritur një autor i cili i mungonte letërsisë shqipe. Unë jam i bindur se nuk ka mënyrë tjetër përshëndetjeje, në vend të fanfarave, që përgjithësisht tingujt i kanë bosh nga brenda. Sidomos për ata tre-katër kapituj të mrekullueshëm :Qengji i Çuditshëm,Shakaja e Nefertarit dhe Gjaku i Prishur, që nuk i bëjnë nder vetëm letërsisë shqipe. Vet autori është një sfinks që pas djegjes do të rilindet nga hiri.. Unë e shoh këtë në burimet prej nga vjen letërsia e tij,arti i tij i fuqishëm. Letërsia shqipe ka shumë pak shembuj të tillë/flas për pika referimi/ sepse asnjë autor s'mund të ketë fat në se nuk vjen për të qënë i përveçëm. I krahasur detyrimisht me prurjet e tjera të letërsisë, ku përplasen vlerat, ku ngjiten maja e më vonë në ultësira gdhihen. Po flas sidomos për kapitujt e mësipërm, ku një personazh që nuk ka as emër, është nisur drejt një mali për të pastruar botën dhe flak në humnerë edhe veten. Jo më qënushin e bardhë të mbyllur në një kuti kartoni, por tërë botën që në plehrat e saj është duke fjetur. Pastaj vizita në muzuen e famshëm të Parisit D'Orsay ku organizohet një pelegrinazh për të parë një pikturë -kryevepër ku janë të pikturuar një nënë me bijën e saj, por piktura është kyçur brenda xhamit për shkak të një mikrobi të rrezikshëm që nëna e tablosë me vete ka mbartur. Nëna është duke ngrënë të bijën. Një tmerr që duhet parë me qetësi për të bërë të padëmshëm. Mos është vallë vet Medea duke ngrënë bijtë e saj? Liriku i ngrohtë befas e humbet këtë ndjenjë duke parë se si po e shqyejnë natyrën njerëzore çakejtë njerëz.
Si një Volter i kohës sonë ai përçon iluminizmin, i cili udhëton përmes errësirës si shpirti me trupin, si pastërtia me nevojat tona të përditshmërisë. Por kur ajo përpjekje realizohet edhe përmes një arti të fuqishëm, do të thoshim se e keqja është identifikuar dhe terapia për shërimin e saj mund të ketë edhe më tepër efekte pozitive.
Nga vështrimi që unë i kam bërë këtij libri po ashtu si edhe librit të tij të parë, e afroj këtë shkrimtar me Kafkën.Përfytyrojeni tani një autor krejt të panjohur dhe guximi im për ta vendosur atë pranë një maje të letërsisë botërore. Por unë si argument për të bindur veten kam librin Flijime të Skajshme dhe faktin që autori më sjellë duke dalë vet prej ferrit. Mua më tepër më shtyjnë për ta hedhur këtë autor në lojë si në ato skenat e gladiatorëve,skena rrëqethëse që e zhveshin letërsinë prej çdo lloj dogme. Ky është revolucioni që bëri Kafka që nuk e paraqiti njeriun si historik siç ndodh te Shejspiri. Ai e nxorri atë prej marrëdhënieve të zakonshme, pothuaj krejt të zakonshme, dashuri dhe urrejtje që ka për filiz të saj dashurinë dhe si Medea ha bijtë e vet si një kriminele ordinere e kohës sonë. Këto raporte në sfond të diktaturave dhe çmendurive të tjera njerëzore, te libri i Robert Martikos përbëjnë një letërsi tjetër, jo vetëm shqiptare, por të përbotshme në kuptimin që letërsia e çdo vendi a kombi, e ka këtë të drejtë për të qënë në një kohë edhe e përbotshme. Te romani i dytë i këtij autori ndizen edhe më shumë llamba për të parë errësirën, ku ne flejmë e zgjohemi. Skena me pikturën e gruas me të bijën në D'Orsay, apo manekini i gruas në Napoli, në fakt janë lotë për tragjedinë e ekzistencës sonë që ka humbur pjesë të ekuilibrit të saj.
Gruas manekin që i biri i shpon gjinjtë i është mbledhur përbrenda vreri i tërë kohëve, një dhimbje e pamatë njerëzore. Kjo grua simbol i urtësisë tashmë s'ka ç't'i japë tjetër birit të saj për veçse këto grushta me qelb që shpërthejnë prej trupit të martirizuar të saj.Kjo skenë është një himn për nënën ndërsa skena në muzeun D'Orsay është kundërnëna, e cila ka ngujuar veten brenda një krimi që është shndërruar në një mikrob të rrezikshëm.. Nuk di prej ç'jehone të këtij realiteti autorit i ka ardhur kjo thirrje, por historia njerëzore nuk është e ndarë vetëm në fitimtarë dhe humbës. Ajo na tregon se viktimt ishin po ata që e përmbanin vet fitoren dhe humbjen.Fakti që autori zhbiron në zona të tilla të thella të psiqikës njerëzore, tregon se sa letërsi seroize është ajo që kemi në shqyrtim dhe shqyrtimi ynë nuk do të jetë kurrë bjerrës
Fëmija që personazhi/presupozojmë që ai është vet autori/ mbart me vet drejt malit ku ndodhet një vilë e cila duhet pastruar,është vet motra e mohuar dhe gjithçka tjetër ndoshta, është pesha e rëndë e mohimit që kompesohet me ëndrra,me përfytyrime. Këta imazhe lëvizës kur ikijnë prej përfytyrimit të autorit, udhëtojnë me lexuesin dhe realiteti plotësohet kështu prej ëndrrës aq sa ëndrra plotëson realitetin e munguar. Është një letërsi që përmes psikoanalizës, e bënë të pashtershëm përmbajtjen e vet shpirtit njerëzor.
Te Plakëruqja Përballë, tregim i shkrimtares së shquar belge Zhakëlinë Harpman ndoshta gjejmë diçka të ngjajshme, me librin e Robert Martikos. Një gruaje i qëndron pranë tërë kohës një plakëruqe e cila s'është gjë tjetër veç kjo grua në pleqërinë e saj që gjykon jetën e saj të kaluar. Ikja nga realiteti ku
ne flasim me hijet, me shpitrat tanë, me fantazma , në trasenë që u shtrojnë atyre përfytyrimet tona. Kjo është ajo letërsi do të thoshja frymëre që sjellë R.Martiko. Aty ku arratiset konkretësia dhe autori na pështjellon përmes ideve, me një botë tjetër ku pliksen e bëhen të vështirë përfundimet. Dhe në fakt kësaj letërsie i mungojnë ngjarjet drejt të cilave një lexues i zakonshëm është i prirur.Kompozicioni gati nuk ekziston, por mjeshtëria e lartë e nxjerrë shkrimtarin në shtigje të tjerë, ku letërsia zbulon aftësitë e pashtershme të saj, për t'iu drejtuar njeriut dhe botës që na rrethon nga pika të tjera vëzhgimi.Me qënë se Robert Martiko nuk pati rini letrare në kuptimin që të botonte e t'i gëzohej asaj, ai vjen në letërsinë shqipe si një shembull krejt i veçantç, njëherësh i ri dhe i pjekur, me zjarrin e një talenti të fshehur për gati një gjysmë shekulli.Unë besoj në letërsinë e tij dhe dua të profetizoj se kohës s'i mbetet tjetër, veç ta pranoj sa më shpejt në gjirin e saj si një vlerë letrare të denjë.
PËR LULJETA LESHANAKUN DHE POEZINË
Shkruar nga Stefan Martiko
Poezia e Luljeta Leshanakut është një lloj dënimi që ajo i ka shpallur vetes, dënim i cili është duke u ekzekutuar në çdo kohë dhe ti vet e kupton se prej kësaj gjendjeje nuk ka asnjë lloj shpëtimi. Poezi pa kurrëfarë emfaze, të duket sikur po rjep në çdo çast këtë lëkurë të ashpër të jetës për të provuar ekzistencën e saj më në thellësi. Herë tjetër ti e pranon robërinë e saj si lumturi sepse më në fund ajo të jep atë liri që ti në vetmi ta gjykosh por për hir të sinqeritetit të saj kurrë për ta paragjykuar. Gati në fillim të çdo poezie Leshanaku ka 5-6 vargje që shërbejnë si një lloj hapjeje, por sa bëhesh gati për ta braktisur, ndjenë se je kapur në një kurth mizor prej të cilit nuk mund të shpëtosh më. Ajo të ka dhuruar diçka me të cilën ti tani si në një lloj prehjeje mendon për gjërat e kësaj bote fshehur pafundësisht që presin të zbulohen. Harron në çast se poezitë që ke lexuar poshtë mbajnë firmën e një poeteje Luljeta Leshanaku dhe ke hyrë në një univers tjetër nën një ndriçim të butë hënor, ku nuk sundon më madhësia por drita që si krrimb futet brenda ose del vet atë çast prej sendeve, prej atyre veprimeve tona që vetëm një çast i tillë i zbulon përmes poezisë që i ka shkatërruar në çast format e tyre të ngurta. Me këtë kuptoj se poezia bëhet një gjë tepër serioze dhe jo domosdo argëtuese. Ajo çlirohet vetvetiu nga një lloj detyrimi për t'i dhuruar tjetrit një çast shlodhjeje. Këtë mision tani e kryen një industri e madhe që ka krijuar dhe një mendësi po kaq të përbindshme. Poezia si në rastin e Leshanakut u tërhoq shpejt nga ky kurth duke shpallur lirinë e vet dhe nuk është ajo në kërkim të lexuesit por rri në pritje që lexuesi të vijë drejt saj. Mbase kjo do të ndodhë shumë vonë ose hiç kurrë, por poezia ia ka ngritur të paktën vetes këtë monument. Duke qënë brenda poezisë shqipe, do të doja ta lëshoja pak litarin e gjykimit tim të ngurtë për vlerat poetike që përbëjnë gjithsesi një fondament kulture. Dhe ja ku më del para dhe një emër tjetër, ai i Ervin Hatibit. Por dhe dy emra nuk janë pak kur pa mëdyshje mund t'i vendosësh pranë vlerave botërore të poezisë. Pra poezia e Leshanakut paraqitet si një dukuri do të thosha, si një lokomotivë që ka marrë përsipër të tërheqë në këtë udhëtim misterioz pjesën tjetër të letërsisë ose më sakt poezinë. Nga që më tmerron mënyra reçensionale e analizës jam i prirur ta vendos këtë zhvillim pozitiv në kohë dhe në hapësirë, e cila shpreh dhe maturinë e një kulture të një vendi a populli.. Dhe pa këtë shpjegim zinxhir të gjërave, unë e kuptoj se vetëm sa trazojmë diçka që më parë ka qënë vet e kulluar. Shoqëria shqiptare duke përjetuar një krizë me rrënjë shumë të thella dhe, për këtë e sotmja ka po aq faj sa ç'ka dhe e shkuara e saj. Por vjen një vajzë/tashmë grua/ dhe si një Silvia Plath duhet të trondis të fjeturit, të vetmashtruarit, ata që e mbyllën kulturën si rregull, si derivat të zhvillimeve të tjerë, pa i kërkuar asnjë rol të ri ndriçues. Sepse ne jemi në atë fazë ku iluminizmi na paraqitet si një nevojë urgjente për t'i dhënë kështu mundësi edhe traditës sonë më të mirë, të përthithet përmes shqisave normale si nevojë për jetë, për të ardhme, për një koherencë të natyrshme të tërë vlerave tona, të cilat prej shumë shkaqeve shpesh janë ndërprerë tragjikisht
19.8.07
NJË NË DHJETË
- Rreth shfaqjes teatrore të regjisorit Laert Vasili-
Nga STEFAN MARTIKO
Një në dhjetë është shfaqja më e re teatrore në Neo Kozmos. Regjisor dhe skenarist i njëjti emër: Laert Vasili. Shfaqjes i duhen dhe tre aktorë dhe pak mizanskena dhe sidomos një ide themelore: Skena ngjitur, e shkrirë me platenë, një lloj teatri i rrugës. Aktorët që dalin nga turma por edhe vet turma që hynë për të lozur në skenë. Gjithçka që do të them më poshtë është pjesë e suksesit të Laert Vasilit.
Tre aktorë të rinj po lozin jetën e tyre. Unë nuk e kuptoj këtë më tepër si teatër se sa një përpjekje për të dramatizuar çastet e përditshmërisë, me të cilat nuk do të ketë më kohë për t'u marrë e ardhmja. Tre emigrantë që nxjerrin prej gjoksit të tyre një dhimbje që është e miliona njerëzve. Si mund të sillesh me tokën që ke humbur dhe me Tokën e Re që ke pushtuar, por Amerika do dhe pesë shekuj të tjerë akoma të bëhet.Ne para skenës ose dhe para ekranit ngujohemi si të dënuar në pritje të ekzekutimit. Kaq afër sa ç'ishte skena me spektatorët, besoj se nuk mund të kishte komunikim tjetër. Rrihu dhe ti si ata tre çuna të rinj që rrezikohen të mbeten pa ëndrra. Spektatori që tani është një trup i vetëm në dëgjim, ka mundësi t'i luaj vet edhe tre rolet duke qënë njëkohësisht edhe vuajtës edhe shkaktar i saj. Nuk e ngrejmë ne dot skenën sepse ajo është e ngritur në çdo çast, ne thjesht ftohemi në të për të luajtur. Nëse sot flasim për rivënje në skenë të dramave të mëdha, aktualiteti që ato sjellin do të jetë gjithmonë i tërthortë, ndonëse idetë universale.Por sodoqoftë ne do na duhet të veshim kostumin e kohës për të cilën ato flasin dhe pas tyre të fshehim vet kohën tonë. Pjesa Dhjetë me Një që po shoh është si të jesh dëshmitar i një ngjarjeje në rrugë. Subjekti i dramës nuk është se është i jashtëzakonshëm, por thjesht ironia e çastit që po jetojmë. Unë nuk di sa afër është këtu Stanislavski apo Brehti. Duhet të jesh teatrolog të bësh të tilla zbulime. Sot falë zhvillimeve të vrullshme, duhet ta intrepretosh shpejt rrugën, ndryshe ajo rrezikon të kthehet në xhungël. Copëzimi i subjektit ose në të vërtet vet largimi prej idesë së subjektit, i ka dhënë mundësi regjisorit të rikthehet prej aty ku është nisur, për të korigjuar gabimet e rrugës dhe të sjellë po ato jehona të cilat, tani dhe këtë çast po vijnë prej jashtë rrugës, që në skenë është duke ndodhur në një mënyrë tjetër.
Ndryshimi i madh me teatrin realist është se, atje gjithçka është duke ndodhur në çast, në të sotmen, e cila konsumohet njësoj si ushqim i përditshëm. Me qënë se nuk ka sipare dhe skena është ngjitur me publikun, ti edhe mund të bëhesh protagonist, t'i lutesh çmendurisë të kapërcejë matanë trotuarit tjetër. Duke u larguar prej lojës klasike të duket se aktori po e krijon vet dramën e cila këtë çast po shfaqet. Tërë këto ndjesi që unë i shoh si përparësi të teatrit modern, e thyejnë jetën në një prizmë tjetër. Ti e përjeton jetën në një prej shprehjeve më dramatike të saj. Është po ai problen i madh bashkëkohor, fati i emigrantëve dhe sfidat që ai duhet të përballojë në një vend të huaj. Nuk është se këto janë të panjohura, por te skena në Neo Kozmos, jetën e shohim të zhveshur, krejt lakuriq, drama e tre të rinjve gërvishet me shkumës në mure, nuk kanë pothuaj fare dekore për t'i lenë mundësi perspektivës. Ajo që po ndodhë këtë çast është njësoj si të pritet të ndodh dhe tërë subjekti është thjesht një përthyerje e kujtesës. Ajo që po ndodh këtë çast në qytetin e madh Athinë ku ti tani këtë çast je duke jetuar. Kjo ide më përforcohet edhe prej faktit se godina e teatrit është e rrethuar prej ndërtesave të zakonshme, në një kryqëzim të thjeshtë rrugësh, diku aty afër Fiksit në autostradën Singru. Njësoj si të marrësh atë që po ndodh këtë çast jashtë rrugës dhe ta sjellësh këtu brenda dhe, po njësoj t'ia rikthesh përsëri asaj. Fati i qindra mijëra njerëzve që i japin frymë qytetit, bëhen pjesë e tij në një mënyrë të çuditshme, bashkë me atë që po ndodh jo vetëm në rrugë, por edhe në një stacion policie, ku
keqtrajtohen disa emigrantë, por edhe ironia e madhe e faktit ku absurditetet e jetës bëhen të natyrshëm. Njeriu emigrant bashkëjeton me të, sepse tani për çastin që po flasim, është pa alternativa.
Në muret e zymtë të skenës,e cila në të vërtet i ngjanë një qelie burgu, duket se për perspektivën dritat edhe kur ndizen, do të fiken shpejt dhe pyetja mbetet po ajo e fillimit.
Loja e tre aktorëve të rinj , thjesht të ngjanë si një montim i zakonshëm i copërave tona të grisura, i iluzioneve dhe kalvarit të vuajtjeve dhe, prej godinës së këtij teatri të vogël, duket se do të trondit vet botën. Por asgjë e tillë nuk po ndodh dhe ti del jashtë, në këtë orë të vonë të natës, për të ndjekur vazhdimin e asaj që para pak çastesh në skenë ishte duke ndodhur.
Nëntor 2007
LETËRSIA E MIRË NUK BËRTET
- Për tregimet e Vasil Vasilit-
Shkruar nga Stefan Martiko
Të botosh pak e të shkruash pandërprerë pa u ngutur në botime, ndoshta është një prej mënyrave ku një autor verifikon veten, ndjek jehonat e veprës së tij deri sa të ndjejë nevojën për t'u rishfaqur. Vasil Vasili ka një përcaktim të tillë e përgjegjësi krijuese të lartë. Një autor me një veçanësi dalluese.
Proza e Vasil Vasilit mbart një ngarkesë të madhe psikologjike. Jo më me faktet, por zbërthimin e tyre për t'i zbuluar krijuesin dhe për ta vënë atë në një farë lloj prove. Do të thoshim një lloj ekzistence që përherë është duke u krijuar. Duke qënë ky një tipar i qënësishëm i prozës së tij, një lexues tjetër që kërkon një letërsi utilitare ndoshta do të mbetej i zhgënjyer dhe do ta mbyllte shpejt librin. Sepse ai nuk është i përgatitur për t'u përballur me një ngarkesë të tillë. Pra vijmë kështu te kultura e lexuesit të cilin tani letërsia e ve në provë. Me këtë ndjenjë lexova tregimin Njeriu në Pasqyrë, Nga vjen Trishtimi, Sozia etje..Pa pretenduar se po e shter atë që dua të them, unë besoj shumë në efektin e parë pas leximit dhe atij do t'i duhet të korigoj shumë pak gabime. Në të vërtet qënka ajo ndjenjë që shoqëron leximin: Ti bën një zbulim dhe kjo të duket si merita jote. Pra dhe ti vet bëhesh pjesë e letërsisë e cila përherë ka një mision të papërfunduar, pra është gjithmonë në udhë duke u prekur, duke u shtuar por ndoshta edhe duke pësuar firo.
Tani vijmë përsëri te proza e Vasil Vasilit. Ai - them unë - i beson shumë talentit të vet por edhe kulturës që duhet të shoqërojë një krijues serioz. Kultura e mbështjellë lëndën për ta shfaqur atë sa më denjësisht dhe krijuesi shndërrohet kështu në qytetar nderi të botës. Duke mos qënë rrëfimtar i rëndomtë, Vasili kërkon një zgrip ku duket sikur s'ka më gjë tjetër përveç humnerës. Por Vasili ka zbuluar i mahnitur një botë tjetër gati të pafundme. Kjo mendoj unë është cilësi e krijuesve seriozë të lindur me shenjën e talentit dhe si e tillë ajo konsumohet duke rrezatuar vazhdimisht vetveten.
Në të vërtet unë me këto fjalë nuk pretendoj t'i zgjedh ato për të mos e prishur festën e fjalëve që rrethojnë zakonisht atmosferën promovuese të një libri. Nga thellësia e prozës së Vasilit duket se sa është cekur një shtresë që të zgjon pambarim përfytyrime dhe bënë atë që thotë Borgesi që çdo lexues ta rishkruaj gjatë leximit pafundësisht veprën. Po këmbëngul në këtë fakt pa bërë analizat klasike të subjekteve e personazheve, të kompozicionit e zgjidhjeve artistike. Unë tani përpiqem të kap atë që më shpesh e më lehtë i ikën vështrimit të lexuesit: Cila është vlera e vërtetë e një libri, çfarë e mba në këmbë atë që po ecën përmes shtigjeve të panjohur? Ja pse ndjehem kaq pranë asaj letërsie që më fal Vasili me prozën e tij. Ai zhbiron, zhbiron në thellësi duke mos e përjashtuar në asnjë rast veten, gati duke u vetsakrifikuar, ai merrë përsipër misionin për të zbuluar botën. Prandaj ka dhe aq pak firo në prozën e Vasil Vasilit. Sepse ndërkohë që ai shkruan, uniteti i veprës po krijohet dhe neve s'na mbetet gjë tjetër, veç të shijojmë një gjë që është duke u përkryer. Intensiteti në shkrim gati zhduk dhe kufijtë e një fraze nga tjetra, një frymëzim fëminor endet mbi atë që po zbulon dhe gati të duken të panevojshme pikat e presjet. Gjithçka qënka veçse një çast fymëmarrjeje jete të thellë. Duke mos qënë në asnjë rast i drejtëpërdrejtë, Vasili të sjellë me vete një mijë fije ku realitetet janë të ndërvarur nga njeri-tjetri. Është ajo pasuri që vjen prej një intelekti të përkorë, prej një talenti të shënuar. Sikur në rastin më të keq Vasili as edhe një rresht tjetër të mos shkruaj- ky libër e ka pohuar qetësisht faktin e patjetërsueshëm se ai që është duke ardhur me këtë libër nuk është një udhëtar i rastësishëm. Por me qënë se diskutimi për këtë temë mbetet i hapur, me këtë rast unë do të doja ta shtrija pak më tej gjykimin tim..Dhe së pari do të shtroja pyetjen: A është një cak i arritur krijimtarie përfaqësuese e vlerave artistike të një autori? Për atë që gjer më tani na është sjellë prej tij a është ajo e vetmjaftueshme apo duhet të presim ecurinë e mëtejshme të shkrimtarit? Por ç'presim ne nuk e dimë ashtu siç ndoshta nuk e di as vet autori. Konkretisht për krijimtarinë e Vasil Vasilit unë gjykoj se ajo ka mbërritur në një cak që neve na plotëson një kënaqësi estetike të një lloji të veçantë.Pra këtë autor ne e pranojmë kështu siç na është paraqitur, sepse ne nuk dimë gjithashtu se në ç'rrjedha do të eci krijimtaria e tij e mëtejshme.Sepse ndërsa një autor është në rrugë e sipër për të përsosur krijimtarinë e vet, mund të ndodhë dhe ajo tjetra, që ai të mos e arrijë më këtë cak të tanishëm. Ndodh vërtet dhe besoj se mbi këtë bazë ne diskutojmë për të ardhmen pa e ditur se ajo ç'do të na sjellë. Vasil Vasili me këtë libër mund edhe ta ketë shkruar të tërë librin e tij të jetës, ose nga ana tjetër le të shpresojmë se një autor i tillë, me mjaft të dhëna premtuese, do të dijë ta çojë letërsinë e vet në nivele të tjerë, për të plotësuar shumanshmërinë e individualitetit të vet.
MIHO GJINI NE 70-VJETOR
-Shkruar nga Stefan Martiko
Mbremja e se premtes se kaluar ne nje nga sallet e kolegjit amerikan/mikprites i perhershem i veprimtarive te Shoqates Liter Art/ mblodhi krijues, artiste e shume dashamire te Miho Gjinit per te festuar se bashku 70-vjetorin e lindjes se kritikut te njohur te teatrit dhe shkrimtarit, Mjeshrit te Madh, njeriut qe me vepren e vet vazhdon te jape nje kontribut mjaft te cmuar ne themelet e kultures sone kombtare.
Takimi festiv i se premtes, te cilit i mungonte ana ceremoniale, u pershkua i teri prej nje spontaniteti qe rralle here jemi mesuar ta shohim neper veprimtarite e ketij karakteri. Edhe pse ana zyrtare e takimit u plotesua me pjesemarrjen e ambasadorit shqiptar ne Athine zotit Vili Minarolli dhe bashkeshortes se tij, gjithcka tjeter mund te thuhet se ishte mjaft intime, shoqerore, e ngrohte dhe e mbushur plot me emocione.
Te gjithe pjesemarresit kishin dicka per te thene per Miho Gjinin, kete figure shumeplanshe,kontraversiale, perhere te pranishem rreth zhvillimeve brenda komunitetit shqiptar ne Athine. Jeta dhe krijimtaria e Miho Gjinit shpalosen ne menyre te natyrshme permes kujtimeve e mbresave personale te te pranishmve, por edhe nen nje shqyrtim me serioz te kontributeve te tij nen driten e zhvillimeve kulturore ne Shqiperi. Qe nga libri i tij i pare kritik i viteve 60-te Trokitje ne portat e Teatrit e gjer te te dy librat e tij te fundit Bisede me Muzat dhe Nje jete me Teatrin e per Teatrin,/ liber ky i permbledhur nen kujdesin e dramaturgut te njohur Skender Demolli/ eshte nje pervoje e gjate krijuese, e nderprere per nje interval kohe te gjate , kur autorit iu desh te kaloje neper kalvarin e shume vuajtjeve. Ai si shume njerez te tjere te artit, u vu ne shenjester te goditjeve te regjimit te kaluar dhe provoi burgun dhe internimin, privimin e lirive me elementare te njeriut. Ishte kjo jete e trazuar e njeriu qe ishte ate mbremje ne qender te gjithe bisedave tona qe i beri edhe me prekese mbresat e kesaj veprimtarie te paharruar.
Ata qe deshironin te flisnin ishin te shumte dhe pothuaj secili prej tyre kishte dicka per ti shtuar kujteses se kohes me qellim qe ajo te behet nje evidence e sakte e se shkuares sone tragjike. Edhe zoti Vili Minarolli, ne fjalen e tij theksoi keto kontribute te autorit duke i meshuar anes njerezore te personalitetit te Miho Gjinit. Ishte pikerisht kjo atmosfere qe vendosi ne raporte mjaft miqesore sallen me protagonistin e kesaj mbremjeje. Respektit e mirenjohjes se te pranishmve Miho Gjini iu pergjigj me po te njejten ndjenje respekti e mirenjohjeje. Per secilin prej tyre ne salle ai kishte dicka per te thene, eshte pikerisht ajo marredhenie qe krijuesi dhe njeriu Miho Gjini u mundua ta shpreh me ato lidhje intime e shoqerore qe e bashkonin me secilin prej pjesemarresve te pranishem. Ne kete fryme miqesore dhe spontane, Lefter Simoni qe shoqeroi veprimtarine nuk e pati te veshtire, per te bere sa me komunikuese atmosferen e takimit. Lulet dhe dhuratat per Mjeshtrin e Madh ishin shenje e respektit te thelle ndaj vepres e jetes se tij, vleresimi qe u behet njerezve te kultures duke i rrethuar ata me dashuri e mirenjohje.
Nese eshte harruar dicka pa u permendur, ate e plotesojne fotografite e shumta qe u shkrepen gjate takimit, por edhe xhirimet filmike per ta lene qellimisht te hapur biseden mes krijusit dhe lexuesit per nje komunikim te metejshem, ku letersia dhe arti takohen me publikun nen shenjen e nje emancipimi me te gjere kulturor te komunitetit te emigranteve shqiptare ketu ne Greqi por edhe me gjere.
POEZIA-ÇOLLAKU PLUS
POEMA E NJERIUT NË ZGRIP
GUXIMI QË KA SI RISK EDHE GABIMIN
-Shkruar nga Stefan Martiko-
Për fat të mirë dy miqtë e mi Vasil Vasili dhe Alush Avduli e përcaktojnë letërsinë si një fushë gati të minuar. Me guxim e qorollepsje nëpër të por për të vërsulur vrapin e tyre nëpër këtë fushë është një gjë për t’u admiruar. Kështu ka ecur mendimi njerëzor duke rrezikuar për të shpërthyer kohën e vet një lloj mentaliteti që ze myk e mbi mykun e tij nisin të mbijnë këpurdha. I vetmi fryt që rrezikon të helmojë ndërgjejgjet tona dhe të ardhmen.. Sepse këpurdhat nuk i hamë dot as si produkt gjysmë i gatshëm. Por tjetër gjë kjo dhe po përpiqem me këtë mendimin tim njerëzor duke u zvargur nëpër dy esetë e dy miqve të mi të cilat i vlerësoj si shenja dhe ato do të më orientojnë për të thënë atë çka unë e përjetova si një mrekulli estetike. ' DRITTA/ret/ e arsyes si TIRAN/i/ e Vasil Vasilit dhe Njolla Iluzionesh e Alush Avdulit janë dy gjëra që duken krejt të ndryshme e pa lidhje por unë gjej në to një fill që më lidh sa me njerën e tjetrën. Kjo më ndihmon që më mirë se sa të llomotis me veten gjëra që brenda intelektit tim nuk guxojnë të prekeshin. Hapja e temës dhe hyrja në të është e rrezikshme si të hysh në një labirint ku rrezikohesh të mbetesh përgjithnjë brenda.
Unë tani po ndriçoj udhën me dritën e tyre të një errësire të mëparshme prej nga vjen mendimi im e i njeriut në përgjithësi dhe unë turbullohem në qartësinë që kaq shumë më ka lodhur duke kërkuar shtegun për t’iu turrur labirintit. Krijues kaq të pazakontë si Vasil Vasili e Alush Avduli nuk janë konformistë dhe që u përshtaten analizave që nuk kanë më tepër inteligjencë si përsiatës të tyre. Ato janë tronditëse të befta trishtuese hakmarrëse gjëmimtare. Janë gjithçka me ato llogaritë që na duhet të bëjmë para se të nxjerrim shpatën nga milli e ta vikasim në qiell. Siç po e shihni unë nuk po analizoj kurrfarë imtësirash por vetëm tërheq vëmendjen për të vënë syrin e të tjerëve në shënjestrën time. Ndoshta atje do të shihni sa pak mund të kem gabuar. Por edhe ç’rëndësi ka nëse në fund të fundit ata janë dy miqtë e mi gjë kejt e rastësishme në këtë botë që gëlon prej rastësive. Por kur na imponohen ne kthejmë vëmendjen me një detyrim të thellë që na ka prishur paksa planet tanë të një komoditeti të mërzitshëm. Por unë pse trembem duke ecur nëpër këtë fushë të minuar apo ndoshta për të disiplinuar hapin ndërkohë që ata të dy para meje kanë përparuar më tepër dhe unë gjendem në këtë zgrip për të parë një botë tjetër. Këtë thotë Avduli në kufirin e rrezikshëm mes kujtesës dhe harresës. Jemi njësoj të rrezikuar si te njera dhe te tjetra. Ndërsa Kavafin po e tremb si tirani drita. Vasili po e zhbiron kështu më thellë errësirën si një përpjekje për të ndalur dritën si një lloj krimi të ri të cilën Kavafi është duke na i kumtuar. Nuk jam duke hyrë më thellë në to për të mos i prekur si diçka që ka një rrezatim hutues por edhe verbues për të tjerët. Nuk dua sepse kjo do të merrej edhe si shenjë rivaliteti por unë thjesht po ua sjellë atë si llambën e Aladinit në duar për t’u ndriçuar kudo që e ndjeni si mërzi errësirën brenda vetes. Dhe as që mund të bëj më tepër në kohën kur estetika ka kaq shumë fusha sa është pothuaj e pamundur për të qënë specialist në të gjitha.
Mos më lerë o zot të gabojë dhe më ndihmo të jem gjer në fund i ndershëm me veten.. E ç’na duhen në fund të fundit emrat e mëdhenj për të cilët tani flasin shpikjet e tyre. Unë nën llambën e Edisonit po shoh kaq shumë drita por nën një dritë kandili unë jetoja përmes një privilegji për të parë përmes errësirës dritën time dritën e cila nuk i përket më asnjë tjetri.. Lumierët po më nxjerrin fotografi e filmi xhiron të tregojë të gjallë biografinë e jetës sime tashmë të vdekur. Ja pse dua t’i sjell këta dy shembuj si një përpjkeje të pazëshme si e dalë prej një humnere apo prej një salle të zbrazët ku Hamletët e tërë kohëve lozin në një skenë po të zbrazur. Mbase po shkoj tepër larg por edhe nuk kam ndërmend të kthehem. Sepse edhe sikur ndodhtë që të kthehem unë do të kem një bindje tjetër edhe më të thellë. Krijuesi te Avduli nuk është më i kohës kur e shkroi apo te Vasili që i është afruar Kavafit më tepër se kushdo tjetër për t'u gjendur përballë benjaminit të tij poetit të madh anglo-amerikan Oden. Unë prirem të shoh një mjegull tjetër edhe më të errët që i del përpara çdo kohe. Unë nuk jam një anestezist i sprovuar për të vënë në gjumë ndërgjegjen e lexuesit para se ai si prej një mrekullie të jetë zgjuar. Por po them gjëra që i rekomandoj ose i vendos si shenja. Ndoshta dikë me këtë kam ndjellur për të braktisur turmën në kërkim të vetes. Një udhëtar më shumë do të kemi atëhere në udhën e njeriut. Unë pa thënë asgjë ndoshta kam thënë gjithçka sepse qëllimisht nuk kam dashur të prish atë lloj intimiteti që mund të lind mes lexuesit dhe një vepre. Por që kam të drejtë ta përcjell këtë bindje e cila është lehtësisht e verifikueshme. Do të jem tani lexuesi më fatkeq që iu afrova këtyre dy zjarreve të vegjël në një natë dimri. Si nevojë si makth si urgjencë për shpëtim. Unë ata nuk i shpalla heronj por dua të shpërthej çdo lloj tabele mendelejeviane për të folur për këta dy emra që ndërgjegja ime përherë më është lutur të bëja çdo përpjekje për t’i nxjerë nga heshtja.
Shkurt 2011