A nuk është vallë kjo një torturë, një lodhje së pari në gjunjët që shkon e ngjitet pastaj në mendje. Këtë pyetje më duket se ia bëj vetes, vetes sime që duket se në këtë vrull të saj ende s'e kam njohur. Dhe përse shkruaj - pyes përsëri veten për të dalë te një përgjigje e saktë që besoj se kurrë s'ka për të ekzistuar. Dhe akoma më tepër nuk ka një përgjigje të saktë të pyetjes: Përse shkruaj deri sa vazhdoj ende të shkruaj duket se nuk gjej kohë për t'i dhënë asaj përgjigje ose ndoshta përgjigja është vet në këtë nevojë që shpjegon qënjen. Shpesh edhe unë e pyes veten se a u jep dot përgjigje poezia semaforëve ku presin dhjetëra njerëz për t'iu liruar rruga, a e kap dot këtë disproporcion të madh të disekuilibrave të mëdhenj dhe ta ve atë në një emërues të përbashkët? Duke qënë brenda meje ajo në radhë të parë kumton të shpjegojë mua. Pa dalë prej kësaj vështirësie zor se unë do të marr çfardolloj përgjegjësie për të ndrequr botën. Por unë bëhem njëfarlloj shpjegimi i saj në se ia mbërrij të tregoj se ç'forcë e ve mendjen time te kjo prurje, ku gjeneron një energji e vazhdueshme. Unë s'i ikij dot asaj sepse ajo kërkon një viktimë dhe unë ia kam dhënë qafën asaj, duke parë si shkëlqen tehu i mprehtë i thikës. Por unë edhe tani nuk kam asnjë lloj tjetër përgjigjeje
19.2.04
GJYQI I SHKRIMTARIT
Ka njerëz që e marrin aq seriozisht letërsinë dhe të revoltuar formulojnë akuzën dhe e hedhin në gjyq shkrimtarin. Aq seriozisht sa i mohuan edhe lirinë e mendjes së tyre për ta falur shkrimtarin e gjorë sepse unë do t'u tregoj-tha shkrimtari në gjyq-se ju duhet të dënoni trupin tim e jo mendjen time. Dhe deri sa fjala është thjesht për mendje unë them se mendja vetëm duhet të luftojë me mendje. Jo trupi juaj me mendjen time, jo shigjeta me penën as penda e zogut me brirët e demit. Ju lutem-shtoi shkrimtari-unë asgjë nuk kam shpikur sepse asgjë më tjetër nuk mund të shpiket, veçse duke mbirë ajo që në tokën e vet kërkon të rritet. Dhe ky debat që zgjati aq e aq vjet sa e vërteta herë anonte nga ana e paditësit e herë nga ana e shkrimtarit, me qëllim që njeri prej të dyve më parë të lodhej. Por kjo vazhdoi edhe më gjatë, aq sa ndërkohë shkrimtari kishte plotësuar veprën e vet, duke i nxjerrur njerëzit në rrugë e duke ulëritur. Ai po shpikte gjëra të përbindshme, aq sa dhe akuza ndaj tij nuk mund të mbështetej më asgjëkundi, në asnjë ligj e normë morale njerëzore. Dhe ata vendosën ta shpallnin atë të parin e një rebelimi që s'kishte ushtri tjetër përveç atyre që si të tillë e kishin shpallur
14.2.04
